Autoritetet shqiptare ngritën dyshime të mëdha mbi shtetasin izraelit Yoram Frig të cilin e ndaluan në aeroportin e Rinasit ditën e premte me një pajisje të dyshimtë që mbante me vete.
Burime nga organi i akuzës thanë se aparatura që dyshohet se ka lidhje me çështje të përgjimit, gjendet në duart e prokurorëve dhe pritet të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore të hënën. Prokuroria kërkon një ekzaminim shkencor të saj për të parë se për çfarë është përdorur ajo në Shqipëri.
Ky ekspertim teknik pritet të përcaktojë në mënyrë të saktë jo vetëm funksionin, por dhe përmbajtjen e aparaturës. Për këtë qëllim prokurorët e çështjes Ndini Tavani dhe Gjergji Tako, pritet të përgatisnin një sërë pyetjesh dhe kërkësash, mbi të cilat do të operojnë ekspertët kriminialistë dhe të inxhinierisë së inovacionit në Policinë e Shtetit.
Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, 51-vjeçari Yoram Frig, ka pranuar se valixhja që ngjalli dyshime te policia e Rinasit ishte një pajisje kompjuterike, por sipas tij, ajo është një kontrolluese dhe jo përgjuese, e cila zbulon çipat e përgjimit në ambiente të ndryshme. Poseduesi i saj, po qëndron ende në kryqytet, pasi autoritetet i bllokuan pasaportën.
“BalkanWeb” raportoi se hetimi për izraelitin nisi për dy vepra penale, konkretisht atë të “përgjimit të jashtëligjshëm i të dhënave kompjuterike”, si edhe për “shpërdorim të detyrës”.





