Zbardhen detaje të reja për ngjarjen e 21 marsit në Elbasan, ku një 29-vjeçar ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 28-vjeçar në oborrin e banesës së tij.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënderbej”, teksa autori Radion Bylykbashi ka tentuar të vrasë me pistoletë shtetasin me inicialet D.I. Por policia ka vënë në pranga edhe dy të rinj nga Durrësi, të cilët akuzohen se kanë përkrahur autorin e krimit dhe kanë qenë me të në momentin e ngjarjes.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të dëmtuar. Nga hetimet e deritanishme, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 gëzhoja armë zjarri të kalibrit 7.65 mm.
Katër ditë më pas, policia e Elbasanit ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, 29-vjeçarit Bylykbashi, si dhe të dy personave të tjerë.
Të arrestuar janë edhe shtetasit:
Elvis Kaci, 24 vjeç, banues në Durrës; Ndalimi i tij u bë nga efektivët e policisë në Durrës pasi dyshohet të ketë përkrahur autorin e dyshuar për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Skënderbej”.
Ndaj tij materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Florian Moriseni, 35 vjeç, banues në Durrës.
Të tre shtetasit kanë qenë bashkë në momentin e ndalimit nga efektivat e policisë dhe shtetasi Florian Moriseni ishte shpallur në kërkim nga Seksioni i krimeve të Hapura Durrës për llogari të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.





