Një tjetër aksident është regjistruar gjatë ditës së djeshme në Durrës, ku sërish për protagonist ka qenë një drejtues mjeti në gjendje të dehur.

Ai është shtetasi H. Ramadani 40 vjeç, banues në Durrës, i cili u arrestua në flagrancë pasi rezultoi në gjendje të dehur pas kryerjes së testit të alkoolit.

Policia bën me dije se Ramadani ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, kur është përplasur me motorçikletën tip “Burgman” me drejtues shtetasin A.S. 45 vjeç, banues në Durrës.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:30 në lagjen nr.8, dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.