Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për marrëveshjen e detit me Greqinë pas më shumë se dy vitesh hetim. Burime zyrtare nga ky institucion thonë për “Tv Klan” se gjatë hetimit nuk u gjetën elemente të veprës penale të kryera nga grupi negociator dhe personat që firmosën marrëveshjen. Por prokuroria nuk pranoi të japë sqarime zyrtare për arsyet që çuan hetuesit drejt këtij vendimi. Gjatë periudhës se hetimit u pyetën 11 anëtarët e grupit të cilët deklaruan se kishin respektuar ligjin se dhe marrëveshja nuk prekte ujërat territorialë shqiptarë.

Mësohet se për këtë çështje u pyeten kryenegociatori Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni në atë kohë zv.Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu Gazmend Turdiu ish-Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme dha sqarimet e tij.

Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufijtë detarë mes dy vendeve u nënshkrua më 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asokohe Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha ish-ministër i Jashtëm .

Marrëveshja e prillit 2010 hapi debate të mëdha, pasi gjykata kushtetuse e rrëzoi paktin duke e shpallur antikushtetues. Sipas vendimit të gjykatës, marrëveshja cenonte integritetin territorial të Shqipërisë.

Kallëzimi për marrëveshjen ishte bërë nga Ministria e Jashtme e cila dyshonte se shtetit grek iu fal territor dhe zyrtarët duhet të hetoheshin për akuzën e marrëveshjes për falje territori.