Dy persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme në repartin ushtarak në Porto Romano. Policia bën më dije se personat e lënduar janë roje të repartit ushtarak.

Nga njoftimet e para policore, bëhet me dije se ata janë plagosur nga shpërthimi i një sasie eksplozivi.

Dy rojet kanë qenë duke pastruar oborrin e repartit dhe gjatë punës i kanë vënë zjarrin disa shkurreve që ndodheshin aty përreth.

Dyshohet se tek shkurret mund të ketë pasur ndonjë lëndë shpërthyese, kapsollë apo barut, i cili ka shpërthyer duke lënë të plagosur dy rojet, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur nga policia.

Ekspertët antieksploziv ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes, që paraprakisht konsiderohet aksidentale.

Ndërkohë, dy personat e plagosur janë dërguar me urgjencë në spital dhe sipas njoftimeve të para ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 

(VIJON)

K.H.