Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Italisë dhe Gjermanisë, ka zhvilluar operacionin e koduar "Il Moro" në fushën e narkotrafikut.

Mësohet se operacioni  është pjesë e veprimtarisë policore të përbashkët mes Policisë së Shtetit, Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, strukturat policore italiane të Firences të koordinuar nga zyrat ndërlidhëse të Policisë Italiane Interforcë në Tirane dhe asaj të Policisë Shqiptare në Bari e Romë.

Hetimi ka nisur që në vitin 2015 nga autoritetet italiane dhe bënte fjalë për një grup të strukturuar kriminal, i cili kryente trafikun e kokainës dhe marijuanës nga vendet e ulëta të Europës në drejtim të Italisë së Veriut.

Në përbërje të grupit ishin 9 shqiptarë, 1 italian dhe 1 maroken.

Kreu i këtij grupi bëhet e ditur se ishte shtetasi B.SH, ku nga hetimet e deritanishme rezulton se aktiviteti kriminal i kryer nga ky grup nuk ka lidhje me Shqipërinë, pasi qendra e veprimtarisë së grupit ishte Firence.

Duke përdoruar teknika speciale të hetimit, janë identifikuar të gjithë anëtarët e grupit kriminal, si është dokumentuar veprimtaria kriminale e këtij grupi dhe për këtë Gjykata italiane ka vendosur masat e arrestit për të gjithë pjesëtarët e grupit.

Si rezultat i operacionit të sotëm të zhvilluar njëkohësisht  në të tre vendet, janë arrestuar  3 persona në Shqipëri, 5 në Itali si dhe pritet arrestimi i personave të tjerë në Gjermani.

Mëngjesin e sotëm janë arrestuar në Vlorë B. SH, 31 vjeç; B. H, 41 vjeç; dhe V. S. 56 vjeç.

Ndërkohë që në Itali janë arrestuar A.Ç., 31 vjeç; A. Ç.,33 vjeç; E. F., 35 vjeç;  me origjinë shqiptare, si dhe M. S., 30 vjeç, maroken dhe  R. A., 37 vjeç, italian.

Nga se bëhet e ditur, operacioni vijon ende dhe pritet rezultati edhe nga policia gjermane.