Ka marrë një tjetër rrjedhë fati i sheshit Veliera në Durrës. Instituti i Arkeologjisë ka vendosur të avancojë gërmimet arkeologjike në shesh, për të parë lidhjen që ka struktura e periudhës osmane me murin bizantin. Brenda muajit të ardhshëm, arkeologët pritet të zbulojnë sheshin në këtë zonë. Deklarata është bërë nga kreu i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita.

Z. Përzhita çfarë po ndodh aktualisht me gërmimet në sheshin Veliera?

Ne jemi si institut për të vlerësuar zbulimet arkeologjike që së fundi kanë dalë në dritë dhe do të vazhdojmë gërmimet dhe për një muaj tjetër. Një raport përfundimtar do të jetë pas një muaji.

Ne jemi që këto struktura të ruhen me të gjithë zhvillimin antik të Durrësit. Po bëjmë çmos që përveç zbulimeve të bëjmë edhe një pjesë të kërkimit tonë që ka të bëjë me murin bizantin të shekullit V e VI e do të krijojmë një asambël të përgjithshëm për të alternuar edhe murin bizantin, me pjesët e tjera të shekullit XVII e XVIII.

Me sheshin Veliera kjo do të diskutohet në instancat përkatëse nga Ministra e Kulturës, këshilli kombëtar i arkeologjisë e një sërë institucionesh të tjera që do të vendosin se çfarë do të bëhet më tej.

A ka dëmtime struktura nga pilotimet e betonit?

Ka disa pilotime, por që do të analizohen dhe do të shikojmë si mund të riparohen dhe restaurohen.

Çfarë rëndësie ka ky objekt i zbuluar?

Ka rëndësi historike për qytetin, është bastion fortifikues i qytetit që lidhet me periudhën ekonomike e ushtarake të Durrësit dhe mbi të gjitha mendoj që është një bastion ku herë pas here janë bërë ndërtime gjatë shekujve.

Shikojmë gjurmë kalldrëmi mbi këto rrënoja në periudha të ndryshme…

Kemi një shtesë tjetër në stadografinë e përgjithshme kulturore të qytetit të Durrësit.

Pra përveç ndërtimeve që lidhen me periudhën romake, bizantine etj kemi edhe këto ndërtime të shekujve XVII e XVIII.

Kur dalin konkluzionet përfundimtare?

Do presim edhe një muaj. Do nisim gërmimet tani të murit bizantin e do shikojmë analizat që do bëhen.

E keni fjalën për murin bizantin që gjendet midis pallatit FLY?

Po ne do shikojmë lidhjen që kanë këto struktura me murin bizantin. Do shikojmë si do e strukturojmë të gjithë këtë asambël arkeologjik.

Gërmime do të jenë brenda sheshit të rrethuar?

Besoj se po. Do të bëhet hap pas hapi. Do shikojmë lidhjen që ka godina e periudhës osmane me murin bizantin dhe më pas do të zgjerohemi me gërmime përgjatë murit bizantin. 

K.H.