Policia ka realizuar një operacionin antidrogë duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme, prej 1 tonë e 283 kilogramë kanabis sativa.
Operacioni u kodua “Mega” dhe u zhvillua në Gjirin e Bristanit, Karaburun.
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Policinë Kufitare Vlorë, Delta Force dhe Guardia di Finanza, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan një operacion të përbashkët nga toka dhe deti ku si rezultat u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme me lëndë narkotike në vendin e quajtur Gjiri i Bristanit, Karaburun, në tentativë për t’u trafikuar me mjete të shpejta drejt Italisë.
Në bazë të këtij operacioni të përbashkët, Policia ka konstatuar në afërsi të bregut të detit, 47 çanta të mbushura me lëndë narkotike, të fshehura në 3 vende të ndryshme në pyll, rreth 500 m larg nga Gjiri i Bristanit.
Policia thotë se operacioni po vazhdon ende të zhvillohet nëpërmjet kontrolleve nga toka dhe deti, përgjatë gjithë shtrirjes së Gadishullit të Karaburunit.
Gjithashtu po punohet edhe për zbulimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.





