Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe Universiteti jo publik “Luarasi” kanë nënshkruar ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi midis tyre.
Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar nga dy rektorët respektivë, Kseanela Sotirovski dhe Arben Malaj.
Rektorja Sotirovski deklaroi se marrëveshjet e bashkëpunimit kanë nisur shumë më herët midis dy universiteteve më në zë në vend.
“Marrëveshja e sotme konsiston në shumë pika, por kryesore janë kërkimi shkencor, shkëmbimi i pedagogëve në programet e studimit, organizimi i eventeve të ndryshme etj” deklaroi Sotirovski.
Ndërkohë rektori i universitetit “Luarasi” tha se kemi elementë të përbashkët e të dobishëm për bashkëpunimin me një partner strategjik, siç është Universiteti i Durrësit.
Malaj vlerësoi kontributin e dhënë nga rektorja Sotirovski në finalizimin e kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht vuri në pah potencialin e madh që ka UAMD.
Finalizimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka ardhur pas një pune shumë të mirë që kanë bërë të dy ekipet e universiteteve, pas një bashkëpunimi të suksesshëm disa vjeçar midis tyre.
K.H.





