*Sloganet politike shkak i përleshjes masive 

Pas përleshjes masive mes protestuesve tek Torra Veneciane, që ndodhi një natë më parë në qytetin e Durrësit, ka reaguar edhe policia, duke dhënë versionin zyrtar të ngjarjes. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëhet me dije se sherri që degjeneroi në përplasje fizike, ka nisur për shkak të sloganeve politike. Lëvizja studentore ka pretenduar se anëtarët e shoqërisë civile janë paraqitur në protestë me bluza e kapele të PD-së.

Ja çfarë thuhet në deklaratën e plotë të policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, bën me dije se në bazë të shkresës zyrtare ardhur më datë 15.03.2017, pranë Insitucionit tonë, ku kërkohet leje për zhvillimin e një tubimi paqësor dhe demokratik, më datë 16.03.2017, ora 21:00, zona para”Torrës Veneciane”, me motivin ndalimin e gërmimeve në zonën arkeologjike”A”, ne e kemi miratuar.

Protestuesit do të kalonin natën para Sheshit të “Torrës Veneciane” dhe në orën 08:00, të datës 17.03.2017, do të drejtoheshin drejt Bashkisë dhe deri në orën 09:00 do të protestonin para shkallëve të Bashkisë Durrës.

Protesta zhvillohej nga Shoqëria Civile, të cilët kanë kërkuar për mbështeteje një grup studentësh ”Lëvizja Studentore e formuar për mbrojtjen e sistemit të vlerave dhe kundërshtiminn e pseudo-shtetarëve”në funksion të kundërshtimit të projektit”Veliera”.

Protesta ka nisur në orën e caktuar, ku të dy grupet e mësipërme(Shoqëria Civile-Lëvizja Studentore), para “Torrës Veneciane“.Protesta ka vijuar në mënyrë paqësore, kur në orën 22:30 midis dy grupeve të mësipërme ka nisur një konflikt.

Lëvizja Studentore pretendon se nuk është përmbajtur kushti që ato kishin rënë dakort, sipas të cilëve, në protestë nuk do të kishte thirrje politike.Ata pretendojnë se Shoqëria Civile ka pasur veshje me stema dhe emblema të Partisë Demokratike(bluza dhe kapele).

Konflikti ka nisur midis  shtetasve A.J. 29 vjeçe, banuese në Elbasan dhe L.B. 35 vjeç, banues në Tiranë, pjesë të Shoqërisë Civile dhe shtetasve E.K. 33 vjeç, dhe G.J. 25 vjeç, banues në Tiranë, pjesë e Lëvizjes Studentore.

Shtetasit e mësipërm, kanë marrë dëmtime të lehta dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, konkretisht shtetasit A.J dhe L.B.(dy personat e tjerë nuk e kanë pasur të nevojshme ndihmën mjekësore) janë pyetur mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur konflikti (të katër shtetasit e mësipërm të përfshirë në konflikt).

Nga veprimet e para hetimore në ngarkim të shtetasve të mësipërm ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë dhe materialet për veprime të mëtejshme janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”parashikuar në nenin  90 të Kodit Penal.