Pas përleshjes fizike që ndodhi natën e shkuar pranë Torrës Veneciane midis protestuesve, Policia e Durrësit ka shoqëruar 8 persona, midis tyre të riun Edian Kulluri, i cili i përket grupimit “Lëvizja Studentore e Formuar për Mbrojtjen e Sistemit të Vlerave dhe Kundërshtimin e Pseudo Shtetarëve” në funksion të kundërshtimit të projektit “Veliera”. Edian Kulluri personi që shikoni në foto është i riu që u denoncua në polici nga shoqëria civile si autori i goditjes me shkelm në gjoks të një vajze me emrin Aurora. Dëshmitarë okularë kanë treguar për “Durrës Lajm” se Edian Kulluri erdhi pasi ishte grumbulluar shoqëria civile pranë Torrës dhe kishin ndezur zjarrin për ngrohje. Lorisa Ylli, aktiviste e shoqërisë civile në një prononcim për “Durrës Lajm” tregoi se çfarë pa e si ndodhi sherri para syve të saj. “Erdhi së bashku me disa të rinj të tjerë dhe i kërkoi Sazan Gurit leje nëse mund t’i bashkoheshin protestës. Sazani i tha që kushdo mund t`i bashkohej protestës qytetare kundër shkatërrimit të pasurisë arkeologjike"-thotë ajo.
Rreth orës 23 e 30 minuta, të gjithë po qëndronin pranë Torrës dhe disa të rinj po thonin se duhet të blenim ndonjë ushqim për të ngrënë në fastfood.
Ndërkohë që një vajzë e shoqërisë civile, e quajtuar Aurora ishte duke biseduar me një djalë dhe po i thoshte se ishte çame me origjinë, Edian Kulluri ka shkuar pranë dhe e ka qëlluar me shkelm në gjoks. Djali që ishte pranë vajzës ka reaguar ndaj Kullurit dhe kaq ka mjaftuar që të nisë një përleshje e vërtetë midis të rinjve të të dy grupeve. “Unë vrapova në rrugë të kontaktoja policinë. Patrulla nuk ishte aty afër”- tha vajza dëshmimtare okulare në sherr.
Sipas saj grupimi që erdhi kishte vetëm një motiv, atë të shkatërrimit të protestës.





