Në super aksion janë hedhur blutë e Durrësit gjatë mbrëmjes së shkuar, për të intensifikuar kontrollet në terren dhe club-et e natës, tallava për persona me precedentë penalë, në kërkim apo për sende të kundërligjshme.

Si rezultat i këtij aksioni, sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se në total janë kontrolluar 120 mjete, janë shoqëruar 25 shtetas për verifikim, 16 prej tyre balerina dhe janë kontrolluar 7 tallava.

Ndërsa janë arrestuar në flagrancë tre shtetas, është ndaluar një shtetas i shpallur në kërkim dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas tjetër.

Është sekuestruar kanabis sativa ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas.

Aksioni i policisë:

Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, kanë vijuar gjatë ditës së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, zbatimin e planit të masave, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, sekuestrimin e sendeve të kundraligjshme si armë, lëndë narkotike, në kuadër të rritjes së rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Në kuadër të masave të ndërmarra, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe është ushtruar kontroll territori në qendër dhe zonat periferike të qytetit.

Janë kontrolluar 120  mjete.

Janë shoqëruar 25 shtetas për verifikim, 16 prej tyre balerina.

U kontrolluan 7 tallava.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në vijim të masave të mësipërme, respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimin e mjetit jo në gjendje të dehur  pa leje drejtimi dhe vendosjen e rripit të sigurimit arrestuan në flagrancë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi shtetasit:

1.Z.Hoxha, 21 vjeç, banues në Durrës.

2. K. Mema 35 vjeç, banues në Kurbin.

Hoxha, në orën 00:15, në lagjen nr. 7, Durrës është kapur nga Shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip Renault Megane pa leje drejtimi.

Mema, në aksin rrugor Fushë Krujë-Mamurras, duke drejtuar mjetin tip Benz, pa leje drejtimi është përplasur me mjetin motorrçikletë tip “Lifan” pa targa me drejtues shtetasin G.S. 28 vjeç, banues në Manëz, Durrës.

Drejtuesi i motorçiketës ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Në ngarkim të shtetasit K.Mema u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe për drejtuesin e motorçikletës, shtetasin G.S. filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.