Nga një godinë që dukej më tepër si rrënojë e vjetër, kisha “Shën Luçia” në Durrës sot ka marrë pamje krejt tjetër.
Ajo është një godinë relativisht e hershme e cila tërheq vëmendjen e kalimtarëve në rrugicën që ndodhet mes lagjes në Rrugën Tregtare, mirëpo e lënë harresë nga ana e shtetit.
Por sot, punimet për rikonstruksionin e saj janë drejt përfundimit dhe kjo në sajë të punës së vyer të studios arkitekturore “A&I Design Studio”.
Rikonstruksioni i saj është bërë i mundur falë donacioneve private të mbledhura në sajë të lobimit nga ana e Dom Gjergj Metës, jo nga paratë e buxhetit të shtetit (as të bashkisë së Durrësit, e as të shtetit). “A&I Design Studio” ka marrë përsipër të rikonstruktojë godinën e konkatedrales duke ruajtur arkitekturën e saj origjinale në stilin neo-klasik.
Me pak para, e njerëz profesionistë të karakterizuar nga talenti e përkushtimi, siç është arkitekti i mirënjohur Indrit Hamiti, në Durrës e në çdo vend tjetër të Shqipërisë mund të bëhen punë të mëdha. Si nga vlera materiale, po aq edhe nga simbolika që ato kanë.
Durrësi dhe gjithë Shqipëria ka njerëz profesionistë e specialistë të talentuar, që mund të bëjnë punë madhore, pa qenë e nevojshme për punësimin e arkitektëve të huaj.
Ndërkohë që një debat i madh e përplasje të ashpra kanë shpërthyer për projektin 6 milionë dollarësh “Veliera” që do të ndërtohet pranë hyrjes së Portit, projekt ky i përgatitur nga një studio italiane në bashkëpunim me një shqiptare, vetëm pak metra larg saj është punuar me mjeshtëri për rehabilitimin e një objekti që mbart vlera të mëdha për katolikët durrsakë.
Konkatedralja e Shën Luçisë, simboli i familjeve katolike durrsake
Konkatedralja e Shën Luçisë mendohet të jetë ndërtuar në 1868, vit i cili përkon edhe me vitin e shënuar në portën hyrëse të saj. Ajo ka qenë kisha në të cilën kanë shërbyer emra të rëndësishëm, jo vetëm të historisë së katoliçizmit në Durrës, por personalitete në historinë kombëtare si Dom Nikollë Kaçorri dhe Imzot Vinçenc Prendushi.
Ajo u mbyll në vitin 1967, sikurse edhe shumë objekte fetare të tjera nëpër Shqipëri, për t’u rihapur pas ’90, me rënien e regjimit.
Konkatedralja “Shën Luçia” është kisha simbol e familjeve katolike durrsake.





