Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi ka reaguar pas miratimit të katër kandidaturave për kryetarë të PD-së dhe përjashtimit të pesë të tjerëve.
Harxhi thekson se edhe ketë herë në këtë proces kishte besë-prerje, duke shtuar se përjashtimi sidomos i Ibsen Elezit është i pajustifikueshëm.
“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë.
Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kuksit dhe ish-Kryetar i Qarkut të Kuksit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë.
Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual.”, shkruan ajo.





