Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit, sekuestrohen 3.2 kg kanabis sativa, ndërsa arrestohen në flagrancë dy shtetas.

Mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia zbuloi sasinë e drogës të fshehur poshtë sedijes së shoferit të një kamioni, i ngarkuar me arka plastike bosh dhe që kishte destinacion Italinë.

Të arrestuarit janë:

• G. Jakupi 37 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i mjetit,

• K. Hasanbashaj  32 vjeç, banues në Fier.

 “Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 12.03.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin kamion tip “Scania” me drejtues shtetasin G. Jakupi dhe pasagjer shtetasin K. Hasanbashaj, pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner.

Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Kamioni ishte i ngarkuar me arka plastike, bosh.

Lënda narkotike ishte e futur poshtë sediljes së shoferit, ku pas peshimit rezultoi në total 3.2 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, bën të ditur policia e Durrësit.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Kjo çështje i kaloi Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.