Nga ambientet e Spitalit Ushtarak ku ndodhet i shtruar pas dhunës që ushtruan ndaj tij, gazetari Elvi Fundo ka folur me tone të ashpra. Përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook”, ai iu drejtohet atyre që e sulmuan, duke i quajtur burracakë dhe duke i paralajmëruar se beteja sapo ka nisur.

Gazetari iu shpall luftë atyre që e dhunuan në mes të rrugës, dhe të tjerëve që fshihen pas tyre, duke iu thënë se do t’i ‘vrasë’ me penë dhe jo me plumba.

Ja statusi i gazetarit Fundo:

“Skena e krimit dhe rruga e largimit.

Burracakët dhe frikacakët sulmojnë gazetarët nga pas.

Krimi dhe mediat e tij nuk më trembin dhe nuk më ndalin.

Thjesht më bëjnë më të fortë.

Rrugën time nuk e ndal dot pabesia dhe sulmet pas shpine. As censura e ortakëve të tyre, apo mbështetja politike e xhuxhëve të vjeter në politikë, apo ata që duan të ngrenë të renë duke mbështetur krimin dhe mediat e saj.

Ka luftë pas shpine me dhunë dhe plumba, ka dhe luftë ballore me penë, që vret më shumë se plumbi. Unë kam të dytën!!!!

Autorët dhe urdhëruesit të dy janë të humbur.

Beteja sapo ka filluar. Rust never dies!!!”