Nga Vajada Keçi Manjani

Dikur, në vitet 90', rruga që të çonte në Rrogozhinë nga Durrësi per mua ishte jashtëzakonisht romantike. E ulur në sediljen e pasme të makinës përhumbesha në përkundjet nga gropat e rrugës e peisazhi gati i zbrazët që karakterizonte atë itinerar. Qetësia romantike fillonte në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Nga dritarja shihej se si rrezet e diellit binin mbi det e formonin pasqyrën e dritës që na ndiqte në rrugëtim, pishat e ndalnin vazhdimisht këtë vizion duke të krijuar ndjesi të ndryshme. Ndër më të paharrueshmet është ajo freskia e detit, ngrohtesia e rrezeve të diellit  dhe aroma e freskët e pishave. Tek sa rruga vazhdonte e pylli largohej, vendin ja linte vështrimi i qiellit me një blu kaq të veçantë e të thellë që vetëm në Shqipëri e kam parë, derisa arrinim në destinacionin aq të dashur për mua.

Ditët e sotme, rruga është shkurtuar, gropat janë rralluar, qielli më nuk shihet nga sedilja e pasme e makinës, por motele e hotele, bare e restorante si dhe pallate post komuniste me unicitetin e çuditshëm të shtrembërisë së pashoqe që i karakterizon. Nuk ka më pyll, nuk ka më as pisha buzë detit, por ka xhungël me pallate njeri më i shëmtuar, i zhgarravitur, i çrregullt dhe i pisët së tjetri. Tek sa kalon në atë rrugë sot, ndjen ngrohtësine e rrezeve të diellit të përzier me pluhurin e rrugëve të pa shtruara midis pallateve për të cilat kanë prerë pyllin me pisha. Dëgjon erën e qofteve të zgarës e të qebabtoreve Kosova, Katuni, apo Katrrani si mund t'i kenë emrat. Ndërsa, deti, nuk të lë më ndjesine e pickimit të kripës mbi lekurë pasi bën banjo, por frikën se mos je larë afër ndonjë tubi të shkarkimit të ndonjë pallati.

Tek sa rritesh, imagjinon të të krijohet pavarësia në vendosjen se ku do të shkosh e çfarë do të bësh. Për mua kulmi i pavarësisë ishte të shkoja në agim të diellit nga Vollga. Të përjetoja freskinë e pashoqe të jodit të mëngjesit. Durresi është magjik. Kjo më ka mbetur peng i pa realizuar derisa e vendosa ta provoja aventurën këtë verë, kur u ktheva për pushime. Në fakt kisha frikë të zgjohesha në 5 të mëngjesit, të merrja rrugët nga Lagja 18 vetëm në pikë të sabahut, sidomos pas një nate e zgjuar dhe e tromaksur nga lufta midis bandave të qenve të lagjes. "Nuk të është mesuar veshi" me tha mami. ( Mua? Veshi?). Qen, qen pa fund, me banda, me grupe, të vetëm, të pisët, të egër, me barrë… qen pa fund!  Padron të lagjes. "Hë se nuk të han", vazhdon mami. Po çfarë hanë ato qenë me përmasa dinozauri??? Nejse, vendosa t’i besoja e të merrja kurajon të kaloja lagjet me të vjetra të Durrësit për t'u drejtuar në bregdet. A ka më bukur se bregdeti i Durrësit? Vollga buzë detit, që në agim ishte e frekuentuar nga njerëz që bënin vrap, që shëtisin, të tjerë pinin kafen e mëngjesit e të tjerë më të organizuar rreshtoheshin për të zënë peshk, e plazhistët e gushtit zinin çadrat ngadalë (si gjithmonë pranë tubave të pusetave. Shnet ju bëftë!). Vendosa që kohën time solemne të asaj dite që po niste plot shpresa ta kaloja e ulur në majë të asaj gjësë së bardhë që është ndërtuar tek Brryli, në fakt të njëjtën ide si dhe unë duket që e kishin patur dhe disa të tjerë. Durrësi është mrekulli!

Në 1999-tën, vëllain e caktuan ushtar në repartin Ushtarak të Currilave. Tek sa shkonim ta vizitonim me makinë, zbulova për herë të parë atë kodër të mrekullueshme. Në pllajën ku parkuam makinën, nje pamje me bukuri te jashtzakonshme na shfaqej para syve: deti ne vakt te zenitit e dielli flakërues i drekes qe shperthente rrezet e tij mbi detin vaj, mbrapa nesh kodra me pisha e djathtas reparti ushtarak. A ngopet shpirti me ate pafundesi tej universit? Nga reparti duhej te rrinim shume larg, sepse ishte rreptesisht e ndaluar afrimi i makinave të huaja në afërsi të tij. Pika strategjike ku ndodhej e bënte të fshehur, por në të njëjtën kohë dominues mbi territorin detar. Një mister per mua.

Dy vite më parë, im atë ishte në kërkim të një uji të pastër larg tubacioneve të pusetave ku të lahej nipi i vogël, zgjodhi Kallmin. Me makinë, nisi aventurën në kodrën ku ishte reparti Ushtarak. Makina ecte, e unë shqetësohesha për rrugën me greminë në det e gropa si puse. Kaluam pranë disa gërmadhave djathtas nesh, e drejt m’u shfaq një pamje që si durrsake se kisha parë kurrë, Kallmi buzë detit! Jo vetëm unë, po gati asnjë durrsak që s'kishte punë andej nuk e kishte parë me siguri atë pamje që na u përshfaq. Kishin shkatërruar e kthyer në gërmadha repartin misterioz ushtarak per t’i lenë vend hapësirave komerciale të pa shkelura të Kallmit. Plazhi i vetëm i Durrësit me gurë e zhavorr, sa vite do të rezistojë pa u pushtuar nga zaptime trualli për ndërtime e kthimin në xhungël qejfi që derdh fekalet në det?

E ç'te thuash për kalldrëmin me gura të lemuara pranë Torrës Veneciane, gropën e Velierës dhe topat e turkut të groposura?  Askush se di si do të përfundojë kjo çështje kurioze, por me intuitë mund ta parashikosh lehtë se do të marrë rrugën e shatërvanit të ish sheshit historik përballë Xhamisë së Madhe: beton konceptual thellësisht futurist, ku mund të thyejnë qafën lehtë plakat e Durrësit tek sa rrëzohen në disnivelet e betonit. Durrësi është një mrekulli, i rrethuar me bukuri, por me njerëz indiferent tepër të qetë dhe rehat per t'u marrë seriozisht me qytetin e tyre.