“Nëse do të ishim lajmëruar që temperaturat në plazh do të shkonin minus 15 gradë Celcius do të kishim marrë masa që të shpëtonim nga dëmtimi palmat në rrugën “Pavarësia” ka deklaruar kreu i ndërmarrjes komunale të plazhit të Durrësit. Alfred Dhuli.

“Deri në 6 janar palmat ishin të lulëzuara dhe pa asnjë dëmtim, por nuk u lajmëruam që temperaturat do të zbrisnin nën zero gradë. Do t’ju kishim vënë të paktën disa qese që të mos thaheshin apo të mos dëmtoheshin nga bora që i zuri” vijon më tej Dhuli.

Kreu i Ndërmarrjes Komunale është konsultuar me specialistë pyjorë dhe agronomë, pasi palmat në këtë rrugë duken shumë të dëmtuara, ndërkohë që pranvera sapo ka nisur.

“Nuk mund ta dimë sa është shkalla e dëmtimit, por shpresojmë të jetë e vogël. Pas 2 ose 3 javësh, në 15 ditëshin e parë të muajit prill do të jetë e mundur të bëhet evidentimi i dëmeve në këtë pemë dekoruese” thotë Dhuli.

Pas shkuljes së rreth 50 palmave në sheshin Veliera, një pjesë e tyre u mbollën në rrethrrotullimin e Plepave nga ndërmarja e Pastrim-Gjelbërimit. Shkulja dhe mbjellja e tyre jashtë sezonit, duket se nuk i favorizoi palmat.

Sipas specialistëve, këto palma nuk kanë zënë dhe dyshimet janë se ato janë tharë përfundimisht.

Palmat në rrugën e plazhit, në këtë javë të dytë të Marsit, duken krejtësisht të dëmtuara dhe specialistët ende nuk janë në gjendje të thonë sa është shkalla e dëmtimit të tyre.

K.H.