Ka dështuar sërish përballja mes Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqja.

Gjykata e Krimeve të Rënda shoqëroi ditën e sotme nën masa të rrepta sigurie në sallën e gjyqit Ylvi Beqajn, biznesmenin i cili nga sot merr statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Ndërkohë Emiljano Shullazi nuk ndodhej në seancën e sotme gjyqësore, pasi ndodhet i shtruar në një spital privat ku një ditë më parë kreu dhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Avokatët e tij thanë se ndërhyrja kirurgjikale kishte shkuar me sukses dhe se Shullazi do të qëndrojë disa ditë në spital.

Biznesmeni Ylvi Beqja ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e të dëshmojë në lidhje me 550 mijë eurot, të cilat sipas tij i janë marrë nga Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij.

Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2014, pasi Beqja ishte takuar me Shullazin në makinën e tij të blinduar në Tiranë te “21 Dhjetori” dhe i kishte kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish­-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit.