Dy aksidente janë regjistruar në rrethinat e Durrësit një ditë më parë, me pasojë plagosjen e 4 personave.
Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 07:40 në Manzë, ku një vajzë 29 vjeçe nga Hamallaj, ka përplasur dy këmbësore të mitura. Shtetasja M.A. duke drejtuar mjetin tip “BMW”, ka aksidentuar shtetaset D.K. e A.K., të dyja 13 vjeçe, banuese në fshatin Hamalle e Kuçok. Si pasojë, shtetasja D.K. pas marrjes së mjekimit është larguar për në banesë, ndërsa shtetasja A.K. ndodhet në spitalin rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti tjetër u regjistrua rreth orës 14:45, në fshatin Gjepalaj. Shtetasi Rr. K., 24 vjeç, banues në fshatin Shetel, ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Benz”, kur ka dalë nga rruga. Për pasojë ka mbetur i lënduar ai vetë dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi D.S., 60 vjeç. Pas mjekimit në spital, të dy ata u larguan pa probleme për jetën.
Ndërkohë, policia ka referuar materialet në Prokurori për të dy shkaktarët e aksidenteve, 29-vjeçaren dhe 24-vjeçarin.





