Pas Vllaznisë, basketbollisti shkodran Herion Faslija largohet edhe nga Teuta. Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë lojtari, që thotë se arsyeja është mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale nga ana e drejtuesve durrsakë, ndaj palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës. Në fakt, të gjithë sportdashësve shkodranë të pranishëm pasditen e së shtunës që shkoi në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të ndjekur ndeshjen Vllaznia-Teuta, u ka bërë përshtypje mungesa e shtatëlartit shkodran në radhët e ekipit bregdetar.
Shumëkush ka menduar se mund të ishte ndonjë dëmtim i tij, por në fakt ka rezultuar tjetër gjë. Tashmë Faslija ka mbetur pa ekip deri në fund të këtij sezoni, një fakt disi i çuditshëm, sepse çdo skuadër e kampionatit shqiptar ka nevojë për një basketbollist të tillë, por zgjedhjet e tij nuk kanë rezultuar ato të duhurat.