Pas më shumë se një jave që ishte në kërkim për ngjarjen e rëndë që kreu në familje, policia e Durrësit ka ndaluar 45-vjeçarin Kujtim Xhura.

Ai akuzohet se i hodhi ujë të nxehtë vajzës së tij 14-vjeçare, Alkelës, duke e djegur në gjymtyrët e poshtme, pasi ajo kish hyrë për të shuar sherrin që zhvillohej midis dy prindërve.

Nëna e saj në polici ka thënë se vajza 14-vjeçare nxënëse e klasës së tetë në shkollën “Met Hasa”, ndërhyri pas zënkës së prindërve. I ati, Kujtimi, kërkonte para nga e shoqja, Manushaqja, ndërsa ajo nuk i jepte. Babai në gjendje të dehur, ushtroi dhunë mbi bashkëshorten, dhe vajza kish ndërhyrë për të shuar sherrin.

I ati kish qëlluar me shkelm sobën e druve (në foto) e cila gjendet në mes të shtëpisë, dhe qëndron mbi katër tulla. Tenxherja me ujë të nxehtë ishte rrëzuar mbi prehrin e 14-vjeçares. Vajza pësoi djegje të shkallës së madhe dhe u dërgua në spitalin e djegie plastikës në Tiranë për t’u kuruar, ndërsa i ati, menjëherë pas asaj që shkaktoi u fsheh, për t’u ndaluar 8 ditë më vonë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka urdhëruar ndalimin e tij për veprën penale “Dhunë në familje” parashikuar në nenin 130/a/4  të Kodit Penal.