Pak ditë pas ultimatumit që dha Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve për ndjekje penale ndaj 5 krerëve të bashkive midis tyre edhe të Durrësit, Roland Xhelilaj, kreu i prefekturës së Durrësit ka mbledhur në një takim përfaqësuesit e tre bashkive të kësaj prefekture, për të diskutuar mbi ligjin për transferimin e fondit pyjor dhe kullotave në varësi të njësive vendore.
Bashkia Durrës duhet të marrë në varësi të saj fondin pyjor pas reformës territoriale.
“Me krijimin e njësive të reja krijohet mundësia që fondi pyjor e kullotat t’i shërbejë njësive vendore” tha prefekti Roland Xhelilaj.
Enver Maloku, specialist i pyjeve, tha se studimi është përfunduar në 6-mujorin e dytë të 2016 për ngritjen e drejtorisë së fondit pyjor dhe kullotave.
“Janë 8500 ha pyje dhe kullotë në bashkinë e Durrësit, por mungojnë specialistët dhe po kështu edhe buxheti”, tha Maloku.
Prefekti tha se strukturat duhet të ngrihen para këtij viti.
Pak ditë më parë Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve e radhiti bashkinë e Durrësit dhe atë të Shijakut mes pesë njësive vendore që nuk kishte marrë asnjë masë në këtë drejtim, duke paralajmëruar ndjekje penale ndaj krerëve të bashkive.
Njoftimi i Inspektoriatit shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve:
Situatë shqetësuese e problematikë madhore ngelen ende në 5 Bashki Kurbin, Durres, Shijak, Vore dhe Kamez.
Këto 5 Bashki nuk kanë implementuar ende detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligji “Për pyjet dhe Shërbimi Pyjor” për ngritjen e strukturave per menaxhimin e fondit pyjor.
ISHMP ka lënë detyra për bashkitë me një afat për plotësimin e tyre deri në fund të muajit Mars 2017.
Nëse pas këtij afati kjo situatë shqetësuese, nuk do të ndryshojë, për këto 5 Bashki dhe 12 Bashkitë që janë ende në proces; do të procedohet me masë administrative gjobë ose kallëzim për ndjekje penale ndaj Krerëve të Bashkive, ashtu si kuadri ligjor e parashikon.
K.H.





