Prej tre ditësh, mediet në Shqipëri kanë shkruar gjerë e gjatë mbi lajmin e botuar në një portal italian që ngrinte dyshime mbi 1300 kontejnerë me mbetje që mund të kenë përfunduar në Shqipëri. 

Ditën e sotme u mësua se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin mbi këtë çështje.

Në urdhrin e lëshuar nga Prokuroria e qytetit bregdetar mbi këtë çështje thuhet se nga denoncimet e bëra në media dhe nga të dhëna të tjera, është e mjaftueshme që të nisë hetimi.

Hetimet që do të kryhen me këtë rast pritet të hedhin dritë mbi përgjegjësinë që mund të kenë përsonat përgjegjës në këtë çështje. Paraprakisht hetimi ka nisur me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Urdhri I dalë nga Prokuroria e Durrësit ëhstë firmosur nga prokurori Agron Gjana, që drejton këtë institucion.

Megaskandali i kontenierëve me mbetje të rrezikshme u denoncua para tre ditësh nga revista italiane “Pianetta Italia”. 

Artikulli i “Pianeta Italia” pretendon se 1300 kontejnerë me mbetje kanë hyrë nga porti i Durrësit dhe nuk kanë dalë nga Shqipëria.

Ditën e sotme, Aleanca kundër Importit të Plehrave, i ka dërguar një letër ministrisë së Mjedisit, ministrit të Financave Arben Ahmetaj si dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla ku kërkon informacion për mbetjet që kanë hyrë në Shqipëri. AKIP ngre pyetjen nëse ka pasur tranzit kontejnerësh me mbetje gjatë vitit 2014-2016. “Kërkojmë informacion nëse ka pasur tranzit kontenieresh me mbetjeje gjatë vitit 2014-2016. Cilat pika doganore janë përdorur për kalimin e mbetjeve?”- thuhet në letrën e AKIP.

Lidhur më këtë çështje më herët reagoi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo e fundit theksoi se për vitin 2016 nga Porti i Durrësit janë trazituar drejt Maqedonisë, nëpërmjet Degës Doganore ‘Qafë Thanë’, 1120 tranzite ndërkombëtare me kontejnerë, kryesisht produkte ushqimore.