Kur kanë kaluar 7 vjet nga ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin në janar të 2010-s, kur tre persona u vranë në një lokal, (17-vjeçari Ani Curri, Luan Curri dhe Edmond Shemsi), autori i vrasjes së trefishtë Arjan Çelaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar pafajësinë e tij.
Megjithëse janë dhënë dy vendime gjykatash, ajo e Shkallës së Parë dhe e Apelit, që e dënojnë Çelajn me burgim të përjeshtshëm pasi provohet se është autori i masakrës së trefishtë të Durrësit, mes të cilëve edhe një 17-vjeçar të pafajshëm, ai kërkon pafajësinë.
Mbi shtetasin Arjan Çelaj, rëndojnë dy akuza: ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” të kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtjes pa leje”, ku për këtë të fundit Çelaj është dënuar me katër vite burg dhe në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, përfundimisht i pandehuri ka marrë dënimin me burgim të përjetshëm.
Por vrasësi i trefishtë ka kërkuar pushimin e çështjes pasi sipas avokatit të tij mbrojtës, nuk provohet fajësia e të pandehurit.
“Dy vendime gjykatash të dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Gjykata e Apelit Durrës, e kanë shpallur fajtor Çelajn për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” të kryer në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi, si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit” të parashikuara respektivisht nga neni 76/dh, në lidhje me nenin 25 dhe neni 278/2 te Kodit Penal.
Vendimi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin penal nr.797 datë 14.12.2011, ka vendosur:
-Deklarimin fajtor të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
-Deklarimin fajtor të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
-Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin përfundimisht të pandehurit Arjan Çelaj me burgim të përjetshëm.
Pasi ka ankimuar vendimin në Apel, një vit më vonë Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm.
Vendimi
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr. 306, datë 30.05.2012,ka vendosur:
– Lënien në fuqi të vendimit penal Nr. 787 (11-2011-6321), datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kundër këtij vendimi, më datë 25.06.2012 ka paraqitur rekurs i gjykuari Arjan Çelaj nëpërmjet av.Arian Salati dhe ka kërkuar: “Prishjen e vendimit Nr.306, datë 30.05.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.797, datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi prishjen e vendimit nr. 306, datë 30.05.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.797, datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës me tjetër trup gjykues.
Çfarë vendimi do të merret në Gjykatën e Lartë më 6 mars?
Kështu, ditën e hënë më datë 6 mars 2017, në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, pritet të mbahet seanca gjyqësore në lidhje me kërkesën për pafajësi që ka paraqitur Arjan Çelaj, i cili pretendon të lirohet, pavarësisht se ka marrë 3 jetë njerëzish, dhe kjo është e provuar katërcipërisht.
Kohët e fundit, një zhurmë të madhe po bën në politikë, media e kudo, lirimi i kriminelëve nga burgu, në një kohë kur po afrohen dhe zgjedhjet elektorale. Deputetët e forcave të ndryshme politike, shpeshherë kanë denoncuar në media se gjykatat po lirojnë kriminelë famëkeq nga burgu, të cilët kanë vrarë e kanë kryer krime të rënda, ndërsa po burgosen hallexhinjtë që vjedhin drita, pasi ‘të fortët’ janë pikërisht ata që u hyjnë në punë politikanëve në fushata zgjedhore.
Për këto çështje delikate, ka pasur dhe reagim nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët po lobojnë fort që Vettingu të kalojë njëherë e mirë, në mënyrë që të gjithë personat që kanë qenë viktima të korrupsionit nga prokuroria dhe gjykatat, duke dhënë para në shkëmbim të marrjes së drejtësisë apo edhe të një vendimi të padrejtë në dëm të një tjetri do të kenë mundësi që të vendosin fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve përgjegjës.
Si ndodhi masakra e trefishtë
Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e datës 27.01.2010, në lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, kur shtetasi Ani Curri, 17 vjeç, ka qenë duke qëndruar në lokalin në pronësi të babait të tij. Në të njëjtin ambient, në një tavolinë aty afër, ka qenë duke qëndruar edhe xhaxhai i tij Luan Curri, dhe shtetasi Edmond Shemsi. Ata po shikonin ndeshjen që po shfaqej në atë kohë në televizorin e lokalit.
Rreth orës 22:30 të mbrëmjes, pranë lokalit është afruar një motor me të cilin udhëtonin 2 persona, një në timon në drejtim të motorit dhe një tjetër në sediljen pas drejtuesit të motorit, i cili dyshohet se ka qenë i gjykuari Arian Çelaj.
Sipas organit të akuzës dhe gjykatave të faktit, rezulton se kur kanë arritur pranë lokalit, Çelaj ka zbritur nga motori është drejtuar për në brendësi të lokalit, ku me të hyrë brenda, ka nxjerrë armën tip automatik dhe ka qëlluar jo me breshëri, por me qitje një nga një të fishekëve në drejtim të viktimave: minorenit Ani Curri, Luan Curri, dhe Edmond Shemsi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

(Viktima, Ani Curri 17 vjeç)
Ngjarja mori përmasa akoma edhe më tragjike për shkak se nga kjo vrasje makabre, mbeti i vdekur dhe një 17-vjeçar i pafajshëm, i cili atë natë po shihte ndeshje futbolli, që fatkeqësisht rezultoi të ishte e fundit. Ani Curri ishte nxënës në vitin e katërt në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe atë vit po përgatitej për të dhënë provimet e maturës, por çdo ëndërr e tij u pre në mes, për shkak se qëlloi të ndodhej në vendin dhe kohën e gabuar. Teksa ai tretet në dhe prej 7 vitesh, vrasësi që i mori jetën atij, sot kërkon të dalë e të shijojë lirinë.





