Dy topat e gjetur në sheshin “Veliera” janë larguar sot prej themeleve të godinës ku u zbuluan.

Nën mbikëqyrjen e arkeologut As.Prof. Eduart Shehu dhe të skulptorit Qazim Kërtusha është bërë e mundur zhvendosja e topave që i përkasin periudhës së viteve 1800 në drejtim të Muzeut Arkeologjik.

Sipas arkeologëve dy topat e zbuluar në rrënojat e godinës së periudhës osmane, janë pjesë e fortifikimit të Durrësit të vjetër.

Punonjësit gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur që fillimisht të heqin topin i cili ishte poshtë shtratit të rrugës kryesore, mbi të cilën kishin lëvizur makina e këmbësorë.

Më pas nëpërmjet një vinçi kanë bërë të mundur edhe lëvizjen e topit të dytë, duke i ngarkuar një kamion.

Heqja e topave nga sheshi “Veliera” erdhi vetëm pas bllokimit të rrugës tregtare dhe devijimit të trafikut nëpërmjet rrugicave.

Sipas burimeve zyrtare punimet në rrugë do të zgjasin dy muaj dhe trafiku nëse nuk do të ketë ndërprerje apo vonesa punimesh do të jetë i devijuar  për 60 ditënë këtë zonë.

Një ditë më parë në seksionin ku kanë dalë gjetjet arkeologjike zyra përmbarimore ekzekutoi vendimin e pezullimit të punimeve. 

K.H.