Gjykata e Apelit në Kolmar të Francës e shtyu sërish vendimin për Ramush Haradinajn. Sot ishte dita kur duhej të vendosej mbi ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, të akuzuar nga Beogradi për krime lufte. Por, fati i liderit të AAK-së tani do të mësohet në 6 prill.

Në seancën e fillimit të shkurtit, gjykata franceze nuk doli me një përfundim mbi këtë rast, duke e lënë Haradinajn në masën e lirimit me kusht. Përpara kësaj, autoritetet serbe kishin depozituar materiale shtesë, çka u mendua si arsyeja e zvarritjeve në Kolmar. Avokati i tij, Arianit Koçi, kishte shumë shpresa se e enjtja do të sillte më në fund lirimin e ish-kreut të UÇK-së. Edhe vetë Haradinaj duket i lodhur nga kjo situatë.

Ai i tha “Radios Europa e lirë” se ndalimi nuk kishte ndodhur fare, pasi fletë-arrestet serbe nuk kanë më asnjë vlerë. Të tilla mandate nuk po respektohen tashmë nga shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende të tjera, kujton Haradinaj, i cili ndalimin në Francë e cilëson një mbajtje peng, pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.