“Kam 21 vite shofer në FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzën e sëmurë po ashtu, me sëmundje të keqe në kokë. Kam vajzën tjetër të vogël që s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marre asnjë shpërblim. Kam shtëpinë pa pllaka. E ndjej veten shumë të renduar aq sa të vras veten. Janë akuza të shpifura. S’kam bukë në shtëpi. Edhe një shpërblim që mora kam shlyer borxhet dhe energjinë. S’kam patur leke t’i paguaj vajzës ilaçet. Nuk i përkas asaj kategorie. I kam çuar një shoku një thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret, në rregull më tha. Si qenka, unë kam folur me një në lagje. Kam qenë në shërbim me përpara dhe sa shkova në shtëpi duke ngrënë bukë më arrestuan. Jam shumë i zhgënjyer me këtë që më është bërë”.

Ky ishte rrëfimi i bërë para togave të zeza nga efektivi i FNSh-së Ardian Loci, i dyshuar se dekonspironte aksionet policore në Shkodër për asgjësimin e kanabisit.

Ardian Loci nuk ka pranuar para gjykatës akuzat ndërsa ka shpërthyer në lot gjatë seancës, por trupi gjykues e la në “arrest me burg”.

Sipas prokurorisë, ai ishte pjesë e një grupi kriminal që merrej me mbjelljen dhe shitjen e kanabisit, ndërsa deri më tani janë arrestuar 18 persona.