Zbardhen mënyrat që përdorin pushtetarët shqiptarë dhe pjesëtarët e botës së krimit për pastrimin e parave. Teksa dy ditë më parë, nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Agim Ismaili, prezantoi raportin vjetor të 2016-s, gazeta ka siguruar të dhënat e plota të këtij raporti. Aty jepen informacione shumë interesante sa i takon lëvizjes së parave të dyshimta. Në raport janë përmendur të gjitha rastet kur institucione të caktuara kanë vënë re fenomene të dyshimta të pastrimit të parave, por nga ana tjetër, lista ka dhënë dhe një pasqyrë të qartë se ku dhe si pastrohen paratë. Pjesa më e madhe e parave të pista dalin jashtë vendit, thekson raporti.

Gjatë vitit 2016 ka pasur 619 raportime nga banka të nivelit të dytë, të cilat kanë raportuar për shuma të mëdha parash. Më pas vijnë shoqëritë e transfertave. Prej tyre ka pasur 209 denoncime. Edhe në këtë rast ka pasur transferta jashtë vendit. Një tjetër teknikë që përdoret për pastrimin e parave është nxjerrja e tyre në mënyrë tokësore. Vetë Doganat kanë denoncuar 47 raste, ku individë të caktuar kanë kaluar me para të shumta më vete. Por teknika tjetër më efikase është investimi i parave në pasuri të patundshme. Vetë Hipoteka ka evidentuar gjatë vitit 2016 plot 134 raste të dyshimta. Por sipas raportit të siguruar nga gazeta "SOT", ata që kanë rolin më të madh në pastrimin e parave janë noterët. Ata kanë denoncuar plot 205 raste, kur individë të caktuar kanë nënshkruar akte noteriale, dhurimi, kalimi pronësie apo llogari bankare me vlera shumë të mëdha. Mirëpo në dokument deklarohet se ka dhe mjaft raste të tjera që noterët nuk raportojnë pranë DPPPP-së. Po ashtu, raste të tjera ku pastrohen paratë janë shoqëritë e automjeteve. Sipas raportit, ka pasur 35 raste denoncimesh nga këto shoqëri për raste të dyshimta nga individë të caktuar. Në fund vijnë shoqëritë e leasking dhe ato të pagesave elektronike. Pra, gjatë vitit 2016 janë shënuar 1.300 raste të dyshimta të pastrimit të parave.

Qytete ku ka pasur pastrim parash

Në raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave janë përcaktuar dhe qytete ku ka pasur raste të pastrimit të parave gjatë vitit 2016. Në krye qëndron Tirana, ku janë shënuar 67 raste. Më pas vjen Durrësi, Gjirokastra, Laçi, Shkodra, Saranda, etj. Për të gjitha rastet e dyshimta në këto zona, DPPPP ka bërë kallëzime penale. Më tej në dokument janë evidentuar dhe disa problematika. “Është e domosdoshme që të rritet roli i Autoriteteve Mbikëqyrëse të subjekteve në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të efikasitetit të sistemit parandalues e për më tepër të qëndrueshmërisë së tij. Me gjithë përmirësimet e vërejtura në vitet e fundit, ende niveli i mbikëqyrjes së Autoriteteve Mbikëqyrëse nuk është në nivelin e kërkuar nga realiteti i vendit tonë dhe nga standardet ndërkombëtare. Konkretisht është domosdoshmëri që Autoritetet Mbikëqyrëse të subjekteve, që më së shumti janë institucione shtetërore/publike, të përmbushin detyrimet për mbikëqyrje ndaj subjekteve të përcaktuara (secili për pjesën takuese) dhe të dërgojnë edhe ato raportime për raste të dyshimta në DPPPP që lidhen me PP/FT, për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre”, thuhet aty. Por problem mbetet hetimi nga prokuroria.

/SOT/