Përmbarimi në Durrës ka bllokuar punimet në sheshin “Veliera”, në seksionin ku deri tani është bërë gërmimi dhe zbulimi i strukturës së themeleve të periudhës osmane.
Në orën 11.00 të paradites së sotme, shërbimi përmbarimor në prani të përfaqësuesve ligjorë të Bashkisë së Durrësit dhe të firmës zbatuese të punimeve, kanë vendosur shiritin e bardhë të bllokimit të punimeve në këtë pjesë. Ky bllokim ka ardhur pas vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative në datën 16 shkurt të këtij viti dhe anulimi i këtij vendimi kërkon sërish një vendim të formës së prerë nga ana e gjykatave, ku edhe ka përfunduar çështja.
Shiriti i bardhë u vendos një metër larg prej themeleve të godinës osmane, aty ku edhe kanë dalë gjetjet arkeologjke.
Përfaqësuesi i shërbimi përmbarimor deklaroi se vetëm tani u plotësua kuadri ligjor që përmbarimi të vepronte në këtë objekt, gati 2 javë nga vendimi i gjykatës pas sigurimit të padisë që bëri shoqëria civile.
As përfaqësuesit e bashkisë dhe as të firmës nuk kanë kundërshtuar këtë vendim të ekzekutuar nga punonjësit e përmbarimit në objekt.
K.H.





