Një vit nga vrasja e 29-vjeçarit Asllan Kërtusha në lokalin “Lord’s 3”, gjyqi ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi akuza u ndryshua për të tretën herë ndaj autorit të dyshuar Bledar Kajnos.
Gjykata e Durrësit ka ndërhyrë duke ndryshuar akuzën e ngritur nga prokurori Drini Pali, për autorin e dyshuar të vrasjes, 31-vjeçarin Blendi Kajno.
Burimet zyrtare nga gjykata e Durrësit kanë bërë me dije se me vendim të trupit gjykues të treshes së kryesuar nga relatori Petraq Curri, dhe Eda Kaja e Paulin Cera, në seancën e fundit trupi gjykues vendosi që i pandehuri të gjykohet me akuzën “Vrasje me dashje” .
Trupi gjykues këtë vendim e mori pas shqyrtimit juridik të dosjes së paraqitur nga ana e prokurorisë së rrethit Durrës, për autorin 31-vjeçar, i cili rezulton edhe pronar i katër bareve luksoze në qytetin bregdetar të Durrësit.
Fillimisht prokuroria e akuzoi Kajnon për “Vrasje me dashje në paramendim”, por 6 muaj më pas, prokuroria e Durrësit e ndryshoi akuzën, në “Vrasje e kryer në kushte të thella të tronditjes psikike” në bazë të Nenit 82 të Kodit Penal.
Ndryshimi i akuzës nga ana e prokuroisë së rrethit Durrës solli një reagim të ashpër në çdo seancë gjyqësore nga ana e të afërmve të viktimës, të cilët dërguan një sërë ankesash zyrtare, madje hodhën edhe akuza të drejtpërdrejta për korrupsion në drejtim të organit të prokurorisë së rrethit Durrës.
Organi i akuzës i kërkoi më pas në seancat maratonë gjykatës edhe “gjykim të shkurtuar” për autorin e dyshuar, por trupi gjykues nuk e pranoi kërkesën e prokurorit Drini Pali.
Seanca e radhës u zhvillua pa praninë e medieve dhe gjykata vendosi që i pandehuri të akuzohet me akuzën “vrasje me dashje” në bazë të nenit 76 të Kodit Penal.
Kjo solli rritim të familjarëve të të pandehurit, ndërsa në seancën e radhës pritet që gjykata të dëgjojë konkluzionet e prokurorisë, para dhënies së pretencës për Kajnon.
I arrestuar si bashkëpunëtor është edhe Gëzim Kajno, kushëriri i Bledar Kajnos.
Prokuroria më herët ka sjellë në raporte e procesverbale të gjthë ngjarjen e mbrëmjes së 1 marsit, duke argumentuar se vrasja nuk u krye me dashje, por në rrethana të rënda e të forta psikologjike, duke sjellë një proscesverbal të mjekësisë ligjore që e argumentonte më hollësisht e në detaje, gjendjen e rëndë të autorit të dyshuar të krimit, Gëzim Kajno 31 vjeç.
Gezim Kajno mbeti i plagosur mbrëmjen e 1 marsit 2016, dhe akuzohet për moskallëzim krimi. Avokati mbrojtës kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga Gjykata.
Kërtusha u vra mbrëmjen e 1 marsit 2016 në lokalin “Lord’s” në pronësi të Bledar Kajnos pasi ishte i dehur, e pas një sherri me kamarierët dhe pronarin e barit.
K.H.





