*Punimet të mbetura pezull që prej një viti!
Muaji shkurt mbyllet pas ditës së sotme, dhe prej marsit të gjithë operatorët turistikë nisin përgatitjet për sezonin e pranverës në Durrës.
Por pamjet që vijnë nga plazhi i Durrësit tregojnë se edhe këtë sezon veror operatorët do ta kenë të vështirë të thithin turistë në një zonë që ngjan me një shesh lufte.
Infrastruktura rrugore është në pikë të hallit. Prej gati një viti janë hapur rrugët si ajo nacionale ashtu edhe dytësore, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar.
Në segmente të veçanta punohet, ndërsa në pjesë të tjera nuk ka asnjë punëtor. Ritmet e punës edhe po të ecnin me hapin e breshkës, diku mund të kishin mbërritur, por me hapat që po vijohet, një gjë është e sigurt, që deri për zgjedhjet e 18 qershorit, puna do të vijojë.
Rruga e plazhit në Durrës ka marrë më shumë se 6 milionë euro deri më tani. 200 milionë janë parashikuar vetëm në hedhjen e asfaltit nga buxheti i bashkisë së Durrësit për këtë vit kalendarik, por nga ajo çfarë shihet në disa segmente të brendshme, gërmadhat në rrugë janë të ngritura, në disa të tjera punimet kanë ngecur, ndërsa aty ku punohet, puna bëhet me hope.
Rikualifikimi i rrugës nacionale, dhe rrugëve të brendshme të plazhit të Durrësit, nisi një vit më parë në muajin maj, duke sjellë shqetësim tek të gjithë operatorët turistikë me bllokimin e rrugës, pluhurin, bllokimin e trafikut, me hapjen e kanaleve etj, punime të cilat janë kryer disa herë në të njëjtën rugë, por kanë qenë pa rezultat konkret.
K.H.





