Problemet e qytetarëve të Durrësit në lidhje me mbifaturimet e padrejta nga ana e OSHEE-së, sa vijnë e shtohen. Një numër i madh ankesash kanë ardhur sërish pranë redaksisë së “DurrësLajm”, ku banorë në zona të ndryshme, ngrenë shqetësimin se faturat e energjisë po i vijnë tejet të kripura. Ata thonë se kanë kursyer aq shumë, sa tanimë u ka ngelur edhe të fikin llambat e të rrinë në errësirë që të mos detyrohen të paguajnë shuma prej 200 apo 300 mijë lekësh të vjetër në muaj.

Kjo gjë ka qenë më e theksuar në dy muajt e fundit, kur Durrësi u godit nga vala e të ftohtit që mbërtheu vendin, dhe faturistët i kanë përllogaritur kilovatët si t’u ketë ardhur për mbarë, madje pa parë fare sahatin, por me hamendje. Por hamendja e tyre, u kushton shumë xhepit të buxhetorëve apo pensionistëve.

Një zonjë që banon vetëm me bashkëshortin në shtëpi, thotë së fatura për muajin janar i ka vajtur 20 mijë lekë të rinj, kur ndërkohë ajo nuk ka as kondiconer apo ndonjë mjet tjetër ngrohës në shtëpi që ta ketë përdorur gjatë ditëve të ftohta.

“Si ka mundësi që të më vijë fatura 200 mijë lekë për janarin, kur nuk kam ndezur asnjë mjet ngrohës, por jam mbuluar me batanije?! As furrën nuk e përdor, por gatuaj vetëm me gaz. Dushin e ndez vetëm kur kemi për t’u larë… Më shumë ç’të kursej?! Ku t’i gjej paratë që të paguaj këtë faturë?”, shprehet e shqetësuar ajo.

Faturistja, i ka shpjeguar zonjës në fjalë, që në rast se ka ndodhur një gabim me numërimin e kilovatëve të konsumuar, do t’ia zbresë në muajt në vijim, derisa sasia e kilovatëve të mbifaturuar të shkojë zero. Pra për janarin, zonja është e detyruar të gjejë para hua tek të afërmit për të paguar faturën, se në të kundërt punonjësit shkojnë ia presin energjinë, dhe në muajt në vijim do paguajë një shumë të vogël deri sa të likuidohet me OSHEE-në. Por kjo e rëndon shumë xhepin e buxhetorëve, të cilët kanë të ardhura modeste dhe mezi u del për të kaluar muajin me të ngrënë e të pirë.

Në fakt ky është një problem që në qytetin e Durrësit vijon prej kohësh dhe kjo ‘taktikë’ e faturistëve të OSHEE-së ka prekur shumë familje. Edhe pse gabimi është i kësaj ndërmarrjeje, zgjidhja që i ofrohet qytetarit është pagimi i faturës, pasi kjo e fundit është regjistruar në sistem dhe nuk mund të anulohet.

Vetëm gjatë kësaj jave, në redaksinë e “DurrësLajm” janë paraqitur pesë familjarë, dy prej të cilëve pensionistë, që ankohen se faturat u kanë ardhur për janarin nga 20 – 40 mijë lekë të rinj, megjithëse kanë shpenzuar aq sa në muajt e tjerë të vitit. Duke mos pasur mundësi tjetër zgjidhjeje, pavarësisht se e kanë provuar edhe atë të depozitimit të ankesës pranë Zyrës së Kujdesit ndaj Klientit, ata shpresojnë ta gjejnë përmes ndihmës së medias. Pak ditë më parë, megjithëse portali ynë përcolli problemet e ndryshme që ndeshen durrsakët: faturat e fryra të energjisë elektrike, prerjen e energjisë pa njoftim paraprak kur abonenti është debitor, apo vonesat në rilidhjen e energjisë pasi është bërë pagesa nga konsumatori, nga ana e OSHEE-së nuk pati asnjë reagim apo nuk u ndërmor asnjë hap që t’u vijë në ndihmë konsumatorëve për zgjidhjen e problemeve të tyre.

“DurrësLajm” thekson se do të vazhdojë ta ndjekë këtë problematikë edhe në ditët në vijim, me shpresën që gabimet e OSHEE-së të marrin fund sa më parë.

S.L.