Departamenti i Marketingut në Fakultetin e Biznesit, të Universitetit "Aleksander Moisiu", organizoi në dy ditë, 24 dhe 25 Shkurt, Konferencën e parë Shkencore Ndërkombëtare në fushën e Marketingut Inovativ me temë “Menaxhimi Marketing dhe Transformimet Dixhitale".

Departamenti i Marketingut në Fakultetin e Biznesit, UAMD, janë të parët të cilët kanë organizuar një konferencë shkencore ndërkombëtare, tërësisht të fokusuar në menaxhimin marketing.

Kjo konferencë pati për qellim të forcojë lidhjen dhe të zgjerojë më tej rrjetin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar midis specialistëve të fushës së marketingut, akademikëve të kësaj fushe, studentëve të Masterit Shkencor dhe Doktoraturës, agjensive të marketingut dhe të gjithë aktorëve tësektorit privat apo publik që operojnë në fushën e Menaxhim Marketingut.

Të gjitha teoritë e marketingut, politikat dhe strategjitë që rrjedhin prej tyre shërbejnë në lidhjen e shumëfishtë që krijohet gjatë këtyre transformimeve dixhitale, midis institucioneve, bizneseve, konsumatorëve, segmenteve dhe të gjitha audiencave të synuara.

Në këtë Konferencë u prezantuan 106 punime, ku morën pjesë 158 autorë nga qytete dhe vende te ndryshme, përfshirë Anglinë, Hollandën, Italinë, Turqinë, Tunizinë, Maqedoninë, Kosovën dhe thuajse nga të gjitha Universitetet publike dhe private shqiptare.
Këto referime u zhvilluan në katër sesione paralele në ambjentet e Kampusit të Ri të Universitetit "Aleksander Moisiu", Durrës.