Qytetarë të shumtë durrsakë kanë pritur me padurim ditën e sotme firmosjen e peticionit për Vetingun. Rreth orës 11:00 paradite, çadra u vendos përpara pallatit të kulturës, nga tre përfaqësues, por 15 minuta më pas dikush i mori në telefon dhe u anulua mbledhja e firmave të peticionit në Durrës.

Qytetarë të shumtë kanë debatuar me përfaqësuesit e mbledhjes së firmave, për mbylljen e tendës nga ana e tyre, e bllokimin e mbledhjes së firmave për qytetarët durrsakë që duan t’i bashkohen kësaj reforme.

Përfaqësuesit e mbledhjes së firmave për peticionin, thanë se morën urdhër që ditën e sotme të mos mblidhnin firma në Durrës, por nuk e përcaktuan se nga kush dhe përse erdhi urdhri i anulimit të peticionit në Durrës.

Ndërkohë reagimet e qytetarëve janë të shumta. Ata janë të bindur se Vetingu duhet të ecë përpara, dhe për këtë ata duan t’i bashkohen procesit të mbledhjes së firmave.

Sipas opinionit të qytetarëve, gjykatat janë të korruptuara në vendimet që marrin dhe procesi i Vetingut të bëjë të mundur dhënien e drejtësisë në Gjykata.

Ndjekim prononcimet e qytetarëve!

K.H.