Një sasi prej 900 kilogramë kanabis sativa u sekuestrua në plazhin e Zvërnecit në Vlorë, gati për t’u transportuar dhe për t’u nisur në Itali. Ndërsa u arrestuan nga policia 6 persona, të dyshuar në përfshirjen e trafikut të drogës.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Vlorë kishte filluar hetimin prej 1 muaji me Prokurorinë e Vlorës, nëpërmjet të cilit, mbrëmjen e kaluar, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Vlorë dhe Guardia di Finanza, u bë goditja e trafikut.

Lënda narkotike me peshë totale prej 900 kilogramë, u gjet rreth 50 m larg bregut të detit, e paketuar nëpër pako me peshë 15-30 kg secila, me mbështjellje natribani.

Policia ka arrestuar në flagrancë 6 autorët:

1- Eduart Grabova, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe.

2- Redjan Hasanaj, 28 vjeç, banues në Vlorë.

3- Napolon Arshiaj, 27 vjeç, banues në fshatin Lepenicë.

4- Ilir Qejvani, 24 vjeç, banues në Vlorë.

5- Jani Bajramaj, 24 vjeç, banues në fshatin Lukovë.

6- Eduart Abazi, 49 vjeç, banues në Vlorë.

Operacioni për arrestimin e tyre:

Katër personat e parë (Grabova, Arshiaj, Hasanaj dhe Qejvani), u arrestuan nga Policia në momentin kur tentuan të ngarkonin lëndën narkotike në gomone, në vendin e quajtur “Hunda e plakut”, vend në të cilin kishin transportuar pakot me lëndë narkotike nëpërmjet dy automjeteve “Benz” me targë AA 252 DK dhe “Toyota” me targë AA 354 MK.

Mjeti lundrues u largua menjëherë sapo ndjeu ndërhyrjen e forcave të policisë nga toka dhe në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes, u bllokua nga Policia Kufitare dhe GdF pak minuta më vonë në Gjirin e Portonovës, Zvërnec.

Mjeti lundrues, ka përmasat prej rreth 6 m gjatësi, 2.4 m gjerësi dhe me 1 motor 75 CC.

Mbi bazën e këtij operacioni, gjatë ndjekjes së vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të kësaj lënde narkotike, Policia ka bërë të mundur kapjen e pilotit të gomones dhe ndihmësit të tij (Bajramaj dhe Abazi), të cilët u arrestuan pas 8 orë ndjekjesh në pyllin e fshatit Pish Poro.

Vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të implikuar dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.