Reshjet e shiut që kanë shoqëruar situatën sinoptike gjatë ditës së sotme duket se janë bërë shkaktare të një mori aksidentesh.

DurrësLajm raportoi më herët gjatë ditës për dy aksidente, në njërin mbetën të përfshirë dy kamionë, ndërsa në tjetrin 4 automjete.

Por aksidentet rrugore nuk kanë të ndalur as në orët e pasdites. Qytetarët raportojnë në redaksinë e DurrësLajm për një aksident rrugor në autostradën Tiranë-Durrës, ku mësohet se janë përplasur dy automjete.

Përplasja ka shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve, e për pasojë trafiku përgjatë këtij segmenti rrugor ka qenë mjaft i rënduar. Vetëm pasi u lëviz nga vendi i aksidentit njëra nga makinat e dëmtuara, automjetet që prisnin në rradhë nisën sërish udhëtimin.

Deri tani nuk raportohet për viktima në këtë aksident, por vetëm dëme materiale.

Ndërkohë një tjetër qytetar, raporton për një aksident të regjistruar në rrugën e Rinasit, ku për pasojë trafiku ishte rënduar sërish.

Reshjet e shiut që nuk kanë pushuar gjatë gjithë ditës duket se e kanë rënduar situatën në rrugët e qyteteve dhe në akset kombëtare, gjë që është shoqëruar me rritjen e numrit të aksidenteve.

M.B.