Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koçi ka paralajmëruar padi penale ndaj Listës Serbe, për shkak se ky subjekt politik ka lëshuar akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit të Kosovës.
“Ramush Haradinaj më ka autorizuar që në emër të tij të depozitoj padi penale për shpifje dhe fyerje kundër subjektit politik ‘Lista Serbe’. Zoti Haradinaj dëshiron që shpifjet dhe fyerjet ndaj figurës së tij të përfundojnë në gjykatë”, tha Koçi për gazetën “Express”.
Koçi ka theksuar se gjithçka në shtetin e Kosovës duhet të funksionojë me anë të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës. Lista Serbe e ka quajtur Haradinajn “kriminel”. Kjo deklaratë e subjektit politik serb në Kosovë ka ardhur gjatë kohës që selinë e AAK-së e ka vizituar ish-presidenti i Kroacisë.