Jo vetëm shoqëria civile por edhe simpatizanë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në Durrës, iu bashkuan protestës së shoqërisë civile, në sheshin “Veliera”, e cila kërkon prej disa javësh bllokimin e punimeve që po kryhen sipas tyre në zonën arkeologjike në qendër të Durrësit.
Reshjet e shiut nuk ndalën protestuesit, të cilët deklaruan se Gjykata Administrative vendosi të mos zhvillohen punime mbi rrugën nacionale, por përmbarimi nuk vepron, ndërsa Kontolli i Lartë i Shtetit në raportin e bërë publik, konfirmon shkelje dhe abuzime me procedurat për ndërtimin e “Velierës” në zonën arkeologjike A, deklaroi Sazan Guri.
Përfaqësues të shoqatave të ndryshme deklaruan se kreu i bashkisë së Durrësit duhet të japë dorëheqjen pas krimit arkeologjik që ka kryer me pasurinë në Durrës.
Pasi protestuan përkrah Torrës Veneciane, aty ku dallohen qartë fragmentet e themelit të fortifikimit të Durrësit, ose portës së Jallisë, protestuesit iu drejtuan në një marshim bashkisë së Durrësit. Aty vendosën disa gurë në derën e bashkisë me simbolin se bashkia duhet të mbyllet, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të bashkisë Vangjush Dako, dhe përballjen e tij me drejtësinë.
Kjo protestë vjen në vazhdën e disa protestave të tjera të organizuara nga shoqëria civile, e cila po kërkon ndërprerjen e punimeve me argumentin se po cenohet trashëgimia kulturore e qytetit bregdetar.
K.H.





