Prej disa ditësh banorët e lagjes nr.1 në Durrës po përballen me kufizime të shpeshta të energjisë elektrike.

Përveç problematikës që krijojnë tek familjarët këto ndërprerje të herë pas hershme, ato kanë nisur të kthehen edhe në ankth për një pjesë të banorëve.

DurrësLajm ka qenë sot dëshmitar i bllokimit në ashensor të një vajze për shkak të ndërprerjes së energjisë.

Kanë qenë vetë banorët e pallatit në lagjen nr.1 që janë angazhuar për të nxjerrë në kohë rekord vajzën e kapur nga paniku.

Siç shihet qartë edhe nga pamjet filmike dhe fotot që sjell DurrësLajm, lagja nr.1 është në errësirë të plotë.

Banorët e pallateve mundohen të bëjnë pak dritë me mjete rrethanore si telefonë apo elektrik dore, ndërsa disa nga lokalet vënë në punë gjeneratorët.

Megjithëse është një nga zonat më të preferuara nga qytetarët durrsakë, sidomos gjatë orëve të pasdites, terri ka mbuluar të gjithë Shëtitoren Taulantia.

OSHEE nuk u ka dhënë asnjë shpjegim banorëve për ndërprerjet e herë pas hershme, që po penalizojnë qytetarët të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.

M.P.