Përdorimi i drogës është bërë një dukuri e cila vazhdon të ketë rritje dhe të jetë e pranishme sidomos te moshat e reja në vendin tonë.
Kështu, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 888 raste të përdorimit të drogës, ndërsa 1166 ishin vetëm të dyshuar. Nga këto raste, 874 persona janë arrestuar, në mesin e këtyre 1124 janë të gjinisë mashkullore dhe 42 janë femra. Kësaj liste nuk i mungojë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Në statistikat të cilat janë marrë nga raporti i PK thuhet se përdorimi i drogës në insticionet shkollore shkon në 500 raste të dyshuara. Vetëm 5 të dyshuar kanë qenë përdorues të drogave brenda objekteve shkollore, shkruan “Indeksonline”. Substanca narkotike e cila është konsumuar më së shumti del të jetë ajo e llojit marihuanë, me 1146 kg e 949.4 g.
Sociologët tregojnë faktorët që ndikojnë deri te përdorimi i saj dhe rrugët që duhen ndjekur për t’u larguar nga varësia e përdorimit të drogës. Sociologu Ragmi Mustafa thotë se shtytja e të rinjve vjen nga sistemi i ndërtuar i vlerave, realitetin të cilin nuk duan ta jetojnë.
“Shtytja e të rinjve në këtë stad psikologjik vjen nga sistemi i ndërtuar i vlerave shoqërore, realitetin të cilin nuk duan ta jetojnë dhe konstruktojnë paqësimin në një realitet të dëshiruar”, është shprehur Mustafa.
Përdorimi i drogës tek të rinjtë ndikon negativisht edhe në personalitet, duke shkaktuar depersonifikimin e individit, duke e larguar atë nga karakteri i tij i vërtetë. Dukuria e drogës duhet luftuar dhe gjetur rrugët e përshtatshme te cilat dërgojnë drejt parandalimit të saj.
Për t’u larguar nga ky fenomen qe i ka kapluar te rinjtë, psikologu Mustafa tha se duhet një trajtim i posaçëm dhe një strategji drejt largimit të kësaj rruge dhe duhet ndërtuar institucionet e nevojshme për t`i trajtuar.
“Duhet pasur një strategji mbi trajtimin e të rinjve që vuajnë nga varësia e drogës, duhet ndërtuar institucionet e nevojshme për trajtimin e këtij fenomeni dhe njëkohësisht jo që duhet sensibilizuar shoqëria por edhe duhet ashpërsuar luftën kundër drogës nga të gjitha institucionet”, u shpreh ai.
/Indeksonline/