Shoqëria ajrore Alitalia ka anuluar gjatë ditës së sotme e gjatë paradites së nesërme rreth 60 % të fluturimeve kombëtare e ndërkombëtare për shkak të grevës së shpallur nga personeli i saj.

Mes fluturimeve të anuluara janë dhe dy udhëtime të linjës Romë-Tiranë, planifikuar gjatë ditës së enjte 23 shkurt. Fluturimet janë me numër AZ 584 e AZ 510.

Nën zërin e sindikatave, pilotët e punonjësit e Alitalia-s, protestojnë kundër situatës ekonomike në të cilën ndodhet aktualisht kjo shoqëri e cila ka mbyllur vitin 2016 me një deficit prej 600 milionë eurosh, si dhe parashikon për vitin 2017 një reduktim prej 160 milionë eurosh të shpenzimeve të saj.

Por mbi të gjitha personeli i Alitalia-s proteston ndaj mungesës së një plani idustrial për rimëkëmbjen e shoqërisë si dhe vendimit të marrë nga drejtuesit e saj për të ndryshuar kontratën e punës së punonjësve nga një kontratë kombëtare, në një kontratë të bazuar në një rregullore të brendshme të Alitalias.

Ky vendim do të hyjë në fuqi në muajin mars e është nyja kryesore e protestës së personelit të kësaj shoqërie.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Carlo Calenda, i cili ka thirrur në takim përfaqësuesit e shoqërisë së fluturimit deklaroi se “Alitalia është një shoqëri private me probleme të dukshme në administrim, por që nuk duhet të rëndojnë mbi punonjësit.”

Ndërkohë, sindikatat kanë dezertuar takimin e planifikuar një ditë më parë me përfaqësuesit e Konfidustrisë, duke pretenduar se para se të ulen e të bisedojmë drejtuesit e Alitalia-s duhet të anulojnë rregulloren e kontratave të reja për punonjësit të parashikuara për muajin mars.

/Ora News/