Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes në fshatin Poshnje në Urën Vajgurore. Një person raportohet se ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Personi i plagosur kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia.

Policia njoftoi se rreth orës 18:00, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me pistoletë Ilir Ismaili, 33 vjeç, i cili u dërgua në Spitalin Rajonal Berat. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje pas marrjes së njoftimit, kanë bërë rrethimin e zonës dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorit/ve.

Gjithashtu janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarje, si dhe mbledhjen e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, njoftoi policia.

Burime policore bënë me dije se ngjarja ka ndodhur në restorantin “Kështjella” dhe i plagosur ka mbetur nipi i pronarit, që kishte disa ditë që ishte kthyer nga Anglia.