TIRANE, 2 nëntor 2013 – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në kryeqytet.
Dy punonjës të Policisë se Rendit të komisariatit numër 2 shfaqen në një video, duke dhunuar disa fëmijë të moshave nga 7 deri në 15 vjeç, të cilët po luanin para oborrit të pallatit.
Ngjarja është shënuar rreth orës 21:00 tek pallatet pranë ish-uzinës “Enver” në rrugën e Kavajës.
Fëmijët rrëfejnë për “News24” dhunën e pajustifikueshme dhe të pamotivuar që dy punonjësit e policisë kanë ushtruar ndaj tyre, ndërsa shprehen se dy punonjësit e policisë me uniformë vinin erë alkool.
Fëmijët shtojnë se dy policët i rreshtuan para pallatit dhe iu kërkuar kartat e identiteti, pastaj i godisnin me shpulla pas koke, madje disave prej tyre iu përdridhnin edhe krahët.
Prindërit e njërit prej fëmijëve të dëmtuar nga dhuna kanë qëndruar disa orë para komisariatit numër 2, në pritje të një shpjegimi nga policia për dhunën ndaj të birit Denis.S, i cili është dëmtuar më tepër në krahasim me fëmijët e tjerë.
Prindërit shprehen për “News24” se do të bëjnë kallëzim penal ndaj policëve.





