Ahmet Zogu na thotë se koncepti i monarkisë e kishte intriguar qysh në moshë të re. Ai adhuronte fort Napoleonin dhe Jul Qesarin, të cilët, si i pari ashtu edhe i dyti, qenë nisur nga republika dhe kishin krijuar monarkinë. Zogu na thotë gjithashtu se gjatë udhëtimit të tij në Romë, rrugës së kthimit nga Vjena për në Shqipëri, fill pas mbarimi të Luftës së Parë Botërore, ai e konsideronte Qesarin si mishërimin e përkryer të burrit të shtetit. Ai na shpjegon se si kishte shkuar e ishte ulur mes rrënojave të Forumit dhe kishte ëndërruar rreth lavdive të së shkuarës si dhe mundësisë për t'i ringjallur. Të tjerë autorë na sugjerojnë se ngjarja vendimtare që influencoi mbi Zogun lidhur me monarkinë kishte pas qenë kurorëzimi i Perandorit Karl të Austrisë më 1916. Fakti që Zogu e kishte shtruar udhën për këtë ndryshim duke nisur qysh nga fillimi i vitit 1924 e ndoshta edhe më herët është i njohur për shumë studiues. Tashmë kemi folur për dobësinë që ai kishte për uniformat e bardha me spaleta, ndërkohë pëlqesat e tij ishin të përhapura gjithandej nëpër pulla e ndërtesa. Emrin dhe inicialet e tij t'i zinte syri kudo, duke përfshirë këtu edhe një fage mali mbi Shkodër. Një komponent thelbësor në gjithë këtë proces ishte nocioni i vazhdimësisë – Zogu mëtonte se auk ishte duke bërë gjë tjetër veçse po rimëkëmbte monarkinë e themeluar në shekullin e pesëmbëdhjetë nga heroi kombëtar i Shqipërisë, Skënderbeu. Ai madje theksonte edhe lidhjen mes tyre – të dy e kishin prejardhjen nga treva relativisht e panjohur e Matit për të sunduar Shqipërinë qysh në moshë të re. Zogu shkoi deri aty sa të rishkruante historinë mesjetare të Shqipërisë për të përfshirë në të krushqinë mes motrës së Skënderbeut dhe një prej stërgjysherve të Zogut. Me t’u shpallur mbret Zogu përshtati përkrenaren e Skënderbeut si simbol të kombit, tok me mbishkrimin “AZ”.

Me mbështetjen e italianëve në mënyrë që ndryshimi të ishte sa më i sigurtë, Zogu, i cili ende besonte se një lëvizje e tillë kishte për të qenë me tepër interes për Europën, filloi të maste pulsin e opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, si dhe të shtronte udhën nga ana ligjore. Për habinë e tij jugosllavët dhe britanikët, ndonëse si të parët ashtu edhe të dytët nuk kishin ndonjë arsye të veçantë për të qenë entuziastë, e njoftuan jo pa një ndjenjë ligësie se qeveritë e vendeve të tyre nuk e kishin zakon të ndërhynin në punët e brendshme të një shteti tjetër. Nga pjesa tjetër e Europës, Zogu mori përgjigje shpërfillëse, po pa të keq. Tok me ndjeshmërinë e tij të vazhdueshme ndaj opinionit të huaj, Zogu ishte vazhdimisht i shqetësuar, sa për sy e faqe, edhe për anën ligjore të çështjes. Për këtë arsye u bë katërcopash për të siguruar të tjerët se ndryshimi që po ndërmerrte ishte korrekt nga ana e kushtuetshmërisë. Duke qenë se Parlamenti nuk ishte në gjendje të ndryshonte kushtetutën e republikës, në qershor të vitit 1925, Zogu i bindi deputetët të miratonin një ligi organik për shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhjen e një asambleje kushtetuese të posaçme. Politika elektorale, shqiptare e periudhës së republikës ishte shumë herë më pak e gjallë se gjatë kohës së principatës, ndaj dhe në këtë rast bëhej fjalë për të ndërmarre nja dy hapa të thjeshtë. Së pari, një duzinë e vogël kandidatësh të mundshëm opozitarë u arrestuan, ndërsa tubimet e përgjithshme politike u ndaluan. Falë karakterit jo të drejtpërdrejtë të procesit zgjedhor, në të vërtetë votuan vetëm 1200 anëtarët e kolegjit zgjedhor dhe duke qenë se ata zgjidheshin e paguheshin nga qeveria, asnjë votë, qoftë edhe e një anetari të vetëm të asamblesë së re kushtetuese, nuk shkoi dëm, madje as vota e atyre që për Zogun konsiderohej e pasigurtë.

Për t'i bindur skeptikët për unanimitetin e popullit të vet, Zogu kërkoi gjithashtu edhe një shprehje entuziazmi në vend. Lëvizja e parë në këtë drejtim ishte pranimi nga ana e tij e titullit "Shpëtimtar i kombit" në dhjetor të vitit 1927. Më pas ai vendosi se ishte e domosdoshme mbështetja pa rezerva e anëtarëve të kabinetit të tij. Edhe pse nuk kishte gjasë që ndonjëri nga anëtarët e qeverisë t'i kundërvihej, kësidore duke vënë në rrezik pozitën e vet dhe ndoshta edhe kokën, nisur edhe nga fakti se rrëzimi i qeverisë dhe riorganizimi i kabinetit qeveritar mund të bëhej me lehtësinë më të madhe, Zogu sajoi një krizë qeveritare e cila shpuri në dorëheqjen e krejt kabinetit. Brenda njëzet e katër orëve u krijua një qeveri e re, e cila, aty për aty, u pagëzua me emrin “Kabineti kukull”.

Mbasi ndëmorën këto hapa, Zogu dhe pjesa më e madhe e këshilltarëve të tij pandehën se puna ishte mbyllur me aq, ndaj me t’u mbledhur Asambleja Kushtetuese në fund të gushtit 1928, s'u mbetej gjë tjetër veçse t'i tregonin popullit kurorën. Ministri i Jashtëm, Vrioni, e bindi Zogun që populli, më e pakta, duhej njoftuar, çka, me sa duket, ai e kishte pranuar me pahir. Kosta Çekrezi, botuesi i Telegrafit, u udhëzua të shkruante një cikël shkrimesh në përkrahje të monarkisë – gjë që, duke pasur parasysh se 90 % e shqiptarëve ishin analfabet, pati nje efekt të kufizuar. Kjo gjë u ndoq nga një numër "demonstratash spontane" të inskenuara me kujdes, të cilat, aty nga fundi i gushtit, morën karakter të zjarrtë. Asambleja u përmbyt nga telegramet që kërkonin zhdukjen e çdo forme qeverisjeje që binte ndesh me traditat e popullit shqiptar. Zogu ishte i kënaqur nga e gjithë kjo, ndonëse siç vinte në dukje ministri amerikan duke shtrembëruar buzët "çdo vëzhgues i vëmendshëm i çështjeve shqiptare kishte për t'i rënë në të sakaq se sikur populli të kishte qenë konsultuar, ata s'kishin për të pasur kurrë dijeni për këtë qasje".

Asambleja Kushtetuese u mblodh detyrimisht në fund të gushtit të vitit 1928 dhe, ashtu siç pritej, në mënyrë unanime vendosi që "kurora e ndritur e fronit historik të Shqipërisë i ofrohej Shpëtimtarit të Kombit nën emrin e Zogu I, Mbret i shqiptarëve". Zogu e pranoi kurorën gjatë një ceremonie të shkurtër, e cila u, pasua nga tri ditë festime. "Demonstrime spontane" shpërthyen gjithandej, përgjatë të cilave çdo kasolle në kryeqytet u zbukurua, në mënyrë të detyrueshme, me lulevargje të gjelbra. Me mbarimin e periudhës tri ditore, nisi të dalë gjithnjë e më në pah karakteri aspak i vetvetishëm i këtyre festimeve, ndërkohë që çdo pretendim për të kundërtën bëhej përherë e më qesharak. Reagimi i të huajve, me përjashtim të italianëve, fillimisht ishte disi negativ, jo dhe aq lidhur me aktin në vetvete sesa për shkak të titullit "Mbret i shqiptarëve”. Jugosllavët, që sundonin mbi një pakicë të konsiderueshme shqiptarësh në Kosovë, e interpretuan këtë gjë si shenjë të ndërmarrjes së një fushate irrendentiste në të ardhmen, e megjithatë e njohën regjimin e ri – madje para Britanisë dhe Francës – për të mos bërë lojën e italianëve. I vetmi problem serioz erdhi nga Qemal Ataturku, i cili, i brengosur nga tradhtia e Zogut kundrejt formës republikane të qeverisjes, refuzoi ta njihte regjimin. Reagimi në radhët e njerëzve të thjeshtë, sidomos të atyre që nuk ishin përzierë në këtë histori, nuk ishte aspak befasues dhe shfaqej sheshit: ata nuk reagonin aspak ngaqë kjo gjë nuk kishte të bënte fare me ata ose, siç shprehej ministri britanik, qenë cinikë në indiferentizmin e tyre.

Duke u shpallur mbret, Zogu dëshmoi se ishte aq i fuqishëm sa të kalonte çfarëdolloj projekti në mendjet e një populli apatik, por edhe tepër i zgjuar për të pritur rastin e volitshëm brenda vendit dhe, ndërkaq, për të mos krijuar kurrfarë ngatërresash me fqinjët. Madje ai duhet vlerësuar edhe për ndryshimin e ndërmarrë, gjë që, në thelb, ishte një lëvizje e mençur. S'do mend që republika në Shqipëri ishte një farë anomalie, po të kemi parasysh se monarkia, tok me pompozitetin dhe kremtimet e veta, ishte diçka që mund të kuptohej më mirë nga një popull që prej shekujsh ishte mësuar t'i bindej e t'i shfaqte besnikëri kreut të fisit ose pashait. Argumenti se froni përçon idenë e jetëgjatësise dhe vazhdimësisë, dhe se këto atribute janë tejet të dëshirueshme në qeverisjen e një vendi që ishte ndarë e përçarë prej sherreve të brendshme dhe xhelozive të jashtme, siç qe rasti i Shqiperisë, nuk mund të flaket terësisht. Ndërkohë që është mëse e vërtetë se besnikëria fisnore kundrejt Zogut ishte diçka krejtësisht personals, krijimi i monarkisë i jepte dorë mbretit ose të ndryshonte qëndrimin e krerëve të fiseve, ose ta zbehte ndikimin e tyre në popull. Me marrjen e kurorës mbretërore, prestigji i tij u rrit brenda vendit, pavarësisht nga fakti se ndryshimi i sistemit shkaktoi një sërë buzeqeshjesh në Europë, e cila kishte parë kaq shumë frone të tronditeshin e të vithiseshin. Lëvizja e Zogut ishte një hap përpara në drejtim të stabilitetit të jetës në vend.

Kushtetuta e monarkisë e vitit 1928, qortoi gjithçka që Zogu i shihet si cen të kushtetutës presidenciale, ndërkohë që të gjithë pushtetin, dhe jo pjesën më të madhe të tij, e linte në duart e kreut të ekzekutivit. Edhe pse nga jashtë ngjante demokratike, po ta këqyrje më nga afër vëreje se Zogu, virtualisht, kishte pushtet të pakufizuar legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv. Ndërkohë që zgjedhje jo të drejtpërdrejta vazhdonin të mbaheshin, partitë politike u shpallën të jashtëligjshme, teksa parlamenti që dilte prej këtyre zgjedhjeve përbëhej nga karrieristë që jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në debate të pafundme lidhur me çështje për të cilat Zogu as që çante kryet. Kur Zogu, i cili kishte të drejtën ekskluzive të merrte nisma ligjvënëse, u kalonte diçka atyre poshtë tij, atëherë Parlamenti duhej ta trajtonte urgjentisht çështjen në fjalë, ta kalonte ligjin në unanimitet dhe, paskëtaj, të kthehej heshturazi e të tretej në hijen e pavlefshmërisë së vet. Pushteti i tij mbi gjyqësorin ishte përforcuar gjithashtu në mënyrë të ndjeshme. Gjatë kohës që kishte qenë President, Zogu kishte qenë në gjendje të kontrollonte gjyqësorin vetëm nëpërmjet emërimeve dhe kërcënimeve. Tani vendimet gjyqësore shqiptoheshin dhe ekzekutoheshin në emër të tij, kështu që edhe ajo pak pavarësi që mund të kishin pasur gjykatat kish humbur pa lënë gjurmë. E megjithatë burimi kryesor i pushtetit të tij rridhte falë prerogativave të ekzekutivit, të cilat nuk i ndante me kërrkënd. Zogu bënte kujdes të mos lejonte krijimin e një aristokracie, me përjashtim të motrave të veta të cilat ishin princeshat e kurorës – pjesërisht nisur nga fakti që Shqipëria nuk ishte në gjendje t’ia lejonte vetes një lluks të tillë dhe, pjesërisht, ngaqë atij nuk i leverdiste të kishte konkurrentë. Tekefundit, Zogu nuk kishte rivalë, ndoshta me përjashtim të italianëve të cilet e kishin rritur dhe shtrirë kontrollin mbi politikën e jashtme, ekonominë dhe ushtrinë shqiptare. Ajo çka Zogu kishte krijuar ishte në thelb një monarki me orientim perëndimor, në të cilën vetëm format qenë perëndimore ndërkohë që pushteti në thelb ishte nje despotizëm i modifikuar. Pra, kishin të bënim me një diktaturë autoritare deri diku të qëndrueshme, tradicionale dhe jo të orientuar ideologjikisht, ku Zogu madje lejonte edhe reforma politike të kufizuara me kusht që të mos i rrezikonin pushtetin. Në shume prej shteteve të tjera ballkanike që kishin përshtatur forma të ngjashme regjimi pati elementë të fashizmit, ndërkohë që në Shqipëri shenjat e tij përgjithësisht nuk u shfaqën, kryesisht nga fakti se fashizmi lidhej me Italinë dhe shumë shpejt Italia do të shndërrohej në mallkimin më të madh për Shqipërinë.

Atëherë për çfarë i duhej dhe çfarë bëri Zogu me monarkinë? Përgjatë njëmbëdhjetë vjetëve që sundoi si mbret, meraku kryesor i Zogut ishte ruajtja e pushtetit. Siç edhe e kemi parë, ai e kishte kuptuar se kjo gjë ishte e mundur vetëm nëpërmjet stabilitetit politik e ekonomik, mbathur deri në një farë mase edhe nga bashkimi kombëtar. Mbërritja e kësaj dhe ndërmarrja e politikave për t’i realizuar këto synime, bënë që Zogu të merrte pamjen e një nacionalisti modern ndonëse janë të shumtë ata që nuk e pranonin këte gjë. Për shkak të kundërvënies që i bëri irredentizmit kosovar, Zogu u damkos atëherë dhe në disa qarqe vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën. Qëndrimi i tij  kundrejt Kosovës mbeti pragmatik: ai besonte se duke marrë parasysh përpjekjet e Shqipërisë per stabilitet dhe burimet e kufizuara në vend, ishte thjesht një marrëzi t'i provokoje jugosllavët. Po, s’do mend, që kishte edhe konsiderata të tjera, të ndryshme nga të tijat. Por edhe nga një këndvështrim i politikës së brendshme irredentizmi kosovar nuk ngrinte shumë peshë për Zogun. Pjesa më e madhe e krerëve të fiseve të veriut me pretendime dhe shpesh prona në Kosovë, si edhe vetë krerët e fiseve kosovare, ishin ndër rivalët e tij më të hidhur, ndaj dhe përfshirja e trojeve të tyre, tok me të zotët brenda kufijve të shtetit shqiptar nuk kishte për të bërë gjë tjetër veçse kishte për t'i rrezikuar pushtetin. Ndërkohë që edhe argumentet e situatës ndërkombëtare shkonin në favor të kësaj logjike. Sikur Zogu të kishte ndjekur një politikë irredentiste në drejtim të Kosovës ose kishte për t'u përballur me pushtimin jugosllav, ose do të varej kokë e këmbë nga italianët në mënyrë që të siguronte prej tyre mbrojtje ushtarake. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, pavarësia e Shqipërisë dhe pozita e tij viheshin në rrezik.

Zogu vijoi të punonte për unitetin e brendshem dhe me heqjen e pengesave të politikës me mjete politike, siç edhe e pamë, ai kishte mundësi të përqëndronte vëmendjen në tjetër vend. Këtë gjë e kemi parë para se të shtinte në dorë skeptrin e pushtetit mbretëror; ai kishte nisur procesin e integrimit të fiseve të veriut në jetën kombëtare të Shqipërisë duke ulur numrm e gjaqeve si dhe duke armatosur pjesë të popullsisë ne vend. Një  tjetër prioritet për të ishte besimi, i cili mbetet një problem edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë që shqiptarët nuk janë shquar kurrë për entuziazëm fetar, katër besimet e mëdha në vend – myslimanët Sunitë, myslimanët Bektashinj, Katolikët dhe Ortodoksët – i hapnin udhën ndikimit të konsiderueshëm nga ana e të huajve, ndaj dhe përbënin një tjeter element ndarës në shoqëri. Zogu shpresonte ta rriste shkallën e kontrollit në vend mbi kishat, si dhe të mbështeste ata drejtues kishtarë që kishin bërë të vetën çështjen e unitetit të Shqipërisë. Pjesërisht edhe si rezultat i përpjekjeve të kryera nga ana e tij, Myslimanët shqiptarë, në vitin 1923, u shkëputën zyrtarisht nga kontrolli i huaj.

Ndërkohë që besimtarët Ortodoksë dhe Katolikë përbënin diçka më pak se 30% të popullsisë, natyra e kishave dhe kontrolli ndaj tyre u shndërrua për Zogun në më shumë se një sfidë. Në marrëdhëniet me Ortodoksët, Zogu u bazua në punën e peshkopit Fan Noli, i cili kishte thirrur një kongres në Berat, ne vitin 1922 dhe që, pas shumë e shume diskutimesh, shpalli autoqefalinë e kishës shqiptare dhe i kërkoi patriarkut në Stamboll që ta njihte zyrtarisht.­ Po patriarku ngurronte; së pari, ngaqë kësodore kërcënohej influence greke në Shqipëri dhe, së dyti, në vend nuk ekzistonte hierarkia e duhur kishtare. Me të ardhur në pushtet, Zogu veproi forcërisht dhe gjeti dy peshkopë, fatkeqësisht pa pyetur për karakterin e legjitimitetin e dyshimtë dhe me anën e tyre shuguroi tre peshkopë të rinj, duke krijuar kësisoj sinodin me pesë klerikët e domosdoshëm. Pavarësisht nga kjo patriarku nuk pranoi t’i njihte deri në prill të vitit 1937, kur një pjesë e peshkopëve, ata më të diskutueshmit, u larguan nga detyra.

Sfida më e madhe iu bë Zogut nga bashkësia më e vogël fetare, ajo e Katolikëve, të cilët konsideroheshim më të dyshimtët për shkak të lidhjeve të qarta me Italinë. Duke e pranuar se ndarja totale ishte e pamundur, Zogu shkoi e zgjodhi rrugën e zbehjes së influences të kishës në Shqipëri. Për shembull, me shpresën se duke pakësuar praktikën e përhapur të vrasjes së grave që tradhtonin burrat, do të mund të ulte edhe ndikimin e kishës, Zogu hartoi një Kod Civil të ri, i cili njihte martesën civile dhe divorcin. Arqipeshkvi i Shkodrës dhe Nunci Apostolik e kundërshtuan me force këtë gjë, po Zogu ua bëri të qartë, pa kurrfarë ekuivoku, se cilido prift që kishte për t'i dalë kundër, shumë shpejt kishte për ta parë veten majë drurit të duhur në gjendje ta përballonte peshën e trupit të tij. Ndërkohë që Kisha Katolike në Shqipëri përgjithësisht e respektoi pushtetin e Zogut, fatkeqësisht, si kundërvenie ndaj qasjes autoritare të pushtetit të tij, me largimin e Zogut, katolikët kishin për të zgjedhur bashkëpunimin e ngushtë me italianët.

Ndësa arsimimi i Zogut mund të përshkruhet si i paplotë, ai vetë ishte aq i hollë sa ta kuptonte se çelësi në rrugën drejt modernizmit, unitetit dhe stabilitetit, ishte brezi i ri i vendit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e atyre që i përkisnin brezit të vjetër e kish pak gjasa të shkëputeshin prej frymës klanore dhe feudalizmit, të rinjtë, duke marrë arsimin e duhur, mund të ndërtonin një Shqipëri të re. Zhvillimi i një sistemi arsimor adekuat zuri kryet e vendit në përparësitë e tij. Në kohën kur Shqipëria fitoi pavarësinë, sistemi arsimor ishte ende në shpërgenj, pjesërisht edhe për shkak të faktit se përgjatë pushtimit shekullor, Osmanët i kishin ndaluar shkollat në gjuhën shqipe. Kur Zogu erdhi në pushtet edhe gjuha nuk ishte e përpunuar siç duhet për perdorime shkollore dhe letrare; fjalori ishte i pazhvilluar dhe dialektet e ndryshme që fliteshin në veri dhe në jug të vendit nuk qenë ende në një gjuhë të vetme kombërare. Teksa Zogu nuk u mor me gjithë këto deficenca, nga ana tjetër, ai ndërtoi shkolla dhe u rrek të ushtronte një farë kontrolli shtetëror mbi ato shkolla që drejtoheshin nga të huajt. Në kohen e pushtimit italian të Shqipërisë, më 1939, në vend kishte pasur 633 shkolla fillore dhe nëntëmbëdhjetë shkolla të nivelit të mesëm, nga 580 shkolla fillore dhe trembëdhjetë të nivelin të mesme që kishte pasur në vitin 1930. E megjithëse Shqipëria kishte për ta pasur universitetin e vet të parë vetëm më 1957, gjate periudhës së Zogut një numër gjithnje e më i madh shqiptarësh dërgoheshin jashtë për të kryer shkollën e lartë. Por, por të kemi parasysh se në vitin 1939, analfabetizmi kapte afërsisht 85 % to popullsisë, i gjithë ky progres, kuptohet, që ishte tejet i kufizuar.

Një sërë nismash të tjera të ndërmarra nga Zogu qenë edhe më pak të suksesshme, pjesërisht edhe për shkak të subversionit gjithnjë e në rritje nga ana e italianëve. Zogu u përpoq ta përforconte unitetin e vendit nëpërmjet përmirësimit të sistemit tejet primitiv të infrastrukturës së transportit dhe të komunikimit; për këtë arsye mori hua të konsiderushme nga italianët, po falë kushteve të ngurta me të cilat qenë dhënë këto hua, pjesa më e madhe e rruëve u ndërtuan sipas kërkesave specifike të ushtarakëve italianë – me fjalë të tjera, të gjitha rrugët e ndërtuara të shpinin në drejtim të Greqise e të Jugosllavisë dhe nuk u përgjigjeshin nevojave të vendit. Sidoqoftë, aty nga viti 1939, për malësorët e fiseve të veriut ishte bërë e vëhtirë të tërhiqeshin në malet e tyre me shpejtësi dhe kësodore, thjesht ta shpërfillnin qeverinë qëndrore të Tiranës. Kështu që policia dhe tagrambledhësit e Zogut tashmë kishin mundësi të depërtonin në vise të Shqiëerisë që, një herë e një kohë kishin pasë qenë të ishulluara nga pjesa tjetër e vendit dhe jo më nga Europa. Zogu, gjithashtu, ushqente shpresa ta përdorte ushtrinë, e cila gjatë monarkisë ishte zgjeruar përtej bazës se trupave të milicisë që kishte pasur dikur, si një mjet jo vetëm për të përforcuar politikat e qeverisë, por edhe si një vendtakimi social e kulturor, duke i mbledhur rekrutët nga pjese të ndryshme të vendit për të shërbyer së bashku në të njëjtët reparte. Kjo politikë mund të kishte qenë edhe më e mbrothtë sikur instruktorët italianë të mos i kishin përdorur, një pjesë të mire të rekrutëve me synimin për t'i shndërruar në bashkëpunëtorë potencialë.

E megjithatë, dështimi më i madh i Zogut kishte për të qenë në fushe të ekonomisë. Fakti që zhvillimi ekonomik mund të shpinte drejt stabilitetit politik e atij të përgjithshëm në vend ishte mëse i qartë, por, po aq i qartë është edhe fakti se, situata e përgjithshme ekonomike në vend ndryshoi fare pak përgjatë viteve të regjimeve të ndryshme të Zogut. Në vitin 1939 vetëm 4.4 % e të ardhurave kombëtare vinte nga industria, duke bërë që importet të qenë të gjithanshme e të domosdoshme. Varfëria e skajshme shtrihej gjerësisht në të gjithë vendin. Një gjë është e sigurtë që faji për këtë gjendje të mjerueshme nuk mund t'i hidhet i gjithë Zogut. Italianët, të cilët, aty nga viti 1939, hartonin kryesisht politikat financiare të Zogut, nuk qenë dhe aq të interesuar për një Shqipëri të begatë, gjë që, doemos, kishte për të bërë që Zogu të ishte më pak i varur prej tyre. Nga ana tjetër, Zogu nuk mund të shkonte shumë larg në zbatimin e politikave me rëndësi kritike për zhvillimin e vendit, siç ishte reforma agrare, për shkak të varësisë së tij prej prijësve të shoqërisë tradicionale shqiptare, krerëve të fiseve dhe çifligarëve të mëdhenj myslimanë. Gjithësesi një pjesë e madhe e përgjegjësisë i takon atij. Me sa duket, Zogu nuk ishte në gjëndje të kuptonte përmasat e problemit të fshatarësisë në Shqipëri, ose të kishte një koncept të qartë për ekonominë në përgjithësi. Ndoshta, dhe kjo ka të ngjarë të ketë qenë edhe arsyeja më e rëndësishme, ai ishte krejt i pazoti të gjente njerëz të zotë t’u vinin shpatullat punëve. Po Zogu nuk ishte njohës i mirë i njerëzve dhe, veç kësaj, nuk para u besonte. Për shkak të paaftësisë së tij për të pikasur e zgjedhur këshilltarë kompetentë, të rinj të zotë mbeteshin në hije, ndërkohë që ekonomia shqiptare dhe vetë Shqipëria në përgjithësi kishte mbetur në mëshirën e burokratëve osmanë të parinovuar.

E gjithë kjo na vjen në ndihmë për të shpjeguar se, përse, kur Zogut i erdhi fundi politik, kishin mbetur vetëm një grusht njerëzish të gatshëm për ta mbrojtur. Në vitin 1938, ministri i Jashtëm i Mussolini-t (dhe dhëndëri i tij) Konti Galeazzo Ciano kishte mbërritur në përfundimin se, Italia nuk kishte për t'i realizuar kurrë synimet e veta për të mbizotëruar plotësisht në Shqipëri përsa kohë Zogu do të mbetej në fron. Në një farë mënyre mbrojtja e suksesshme që Zogu i kishte bërë pavarësisë së vendit nga italianët, vulosi fatin e vendit. Ciano, i cili, ishte obsesionuar në një farë mase me Shqipërinë, shtjellonte idene e pushtimit të vendit duke e vënë theksin tek epërsia në trupa dhe miklimi, si dhe duke luajtur me frikërat e Mussolini-t. Duce-ja ngurronte, si pëherë i dhjaksur kur vinte puna për të marrë vendime të rëndësishme, por kur gjermanët pushtuan Pragën, në mars të vitit 1939, u bë si i tërbuar. Pas një moblizimi të ngutshëm të trupave, ushtria italiane e pushtoi Shqipërinë më 7 prill të vitit 1939. Vetë operacioni ushtarak ishte një rrumpallë e madhe, i përshkruar më së miri nga Filippo Anfuso, kryendihmësi i Ciano-s, i cili e shoqëroi Kontin gjatë fluturimit të tij mbi zonën e betejës me synimin për të përfituar një medalje falë fushatës. Anfuso shkruan: “Sikur shqiptarët të kishin pasur një brigadë të armatosur mirë, kishin për të na zmbrapsur dhe hedhur në Adriatik”.

Po Zogu pati një përkrahje të papërfillshme dhe, nga ana tjetër, nuk veproi siç duhet. Italianët nuk hasën pothuajse në kurrfarë qëndrese dhe  brenda pak ditësh qenë në gjendje të shkelnin në të gjithe territorin e vendit, të penguar rastësisht vetëm nga paaftësia e tyre. Ushtria shqiptare që mund të përbëhej nga rreth 8000 trupa, ishte sabotuar tërësisht nga instruktorët italianë, ndaj dhe për rrjedhojë nuk i hyri në punë as njërës, as palës tjetër. Mbreti Zog mbasi i bëri personalisht një thirrje patetike Mussolini-t, iu drejtua me anë të radios nënshtetasve të vet të luftonin kunër italianeve deri në pikën e fundit të gjakut. Pak orë pas kësaj thirrjeje, Zogu ia mbathi në drejtim të Greqië, duke marrë me vete thasë të mëdhenj të mbushur me flori, mita që kishte përfituar prej Mussolini-t përgjatë gjithë atyre viteve Pas kaq e kaq vitesh hidh-e-prit me italianët, ka të ngjarë që Zogut i kishte ardhur në majë të hundës kjo punë – ndaj dhe mënyra se si u largua nga vendi la nje shije tepër të hidhur. Ndërkohë që vendi ishte pushtuar dhe mbreti kishte ikur, pjesa më e madhe e shqiptarëve e lëshuan veten në duart e fatit.

Vlerësimet rreth Zogut luhaten nga Zogu i parë si djall, te Zogu i parë si hero kombëtar. Gruaja e tij, Geraldina, do t'ia përshkruante autorit të këtyre radheve si një Napoleon të shekullit të njezetë. Mbreti i Italise, Victor Emmanuel-i III, i cili u shpall mbret i Shqipërise pas largimit të Zogut, e quante bandit, ndërsa kryeministri i Francës, Edouard Daladier, e konsideronte një gangster. Historiografia socialiste shqiptare, e cila ka pasur prirjen ta shihte pothuajse gjithçka bardhë e zi, e ka dënuar pa kurrfarë rnëdyshjeje si tiran dhe feudal zemërkazëm, dhe gjithçka pozitive që ka ngjarë gjatë mbretërimit të tij ia kushton ndokujt tjetër. Pjesa me e madhe e historianëve Perëndimorë, fjala vjen si Michael Schmidt Neke, janë gjithashtu të prirur ta këqyrin në një dritë negative. E vërteta është që ka shumë gjëra për të cilat mund të kritikohet Zogu, si në rrafshin vetjak ashtu edhe të politikës së ndjekur prej tij. Me t'u bërë mbret Zogun e pushtoi një farë vetëkënaqësie dhe, kësisoj, ai e humbi atë dhunti energjie që e kishte karakterizuar gjatë viteve të rinisë. Në një çast erdhi e u bë i plogësht mendërisht dhe ndonëse ishte ende i aftë të ndërmerrte veprime të prera dhe të ashpra, ai njeri nuk ishte më në gjendje të arsyetonte siç duhej lidhur me rrugët dhe mjetet për t'u bërë ballë vështirësive që mund të shfaqeshin. Kjo gjë përbënte një problem të mprehtë ngaqë sistemi që vete kishte ndërtuar bënte që në shumë raste të mos ishte në gjendje konstitucionalisht të delegonte autoritet. Prandaj e gjithë pesha e punëve administrative binte mbi shpatullat e tij, një barrë që shpesh ai e kuptonte që ishte tejet e rëndë për të – aq më tepër duke mos pasur aftësitë organziative, as njohuritë e nevojshme për t’u dhënë zgjidhje situatave të gjithfarëllojshme. Në kohët më të këqia, Zogu ngjante me një monark të mefshtë, një burrec ekstravagant që rrethohej nga një grup punëkotësh që jetonin ne kurriz të tij dhe që ai nuk ishte në gjendje t'i hiqte qafe.

Pondonëse të gjitha këto kritika i japin hakun, prapëseprapë nuk na e shpalosin figurën e tij në të gjitha përmasat. Shpesh kriteri që përdoret në Perëndim për të gjykuar një politikan është nëse njerëzit ishin më mirë në fund të mandatit të tij qeverisës nga ç’kishin qenë në fillim ose jo. Nuk ka dyshim që në pamje të jashtme duket sikur shqiptarët nuk qenë kushedi se çfarë më mirë materialisht në vitin 1939 nga ç’kishin pasë qenë në vitin 1922. Po gjithsesi diçka ata e kishin përfituar, edhe pse shpesh nuk ishte e prekshme. Arritja më e prekshme e Zogut ishte sigurimi i stabilitetit politik në vend, sado qe i kufizuar. Ai ishte aq i mençur sa ta kuptonte që për ndërtimin e shtetit të tij nuk mjaftonte thjesht të kopjonte modele shtetesh që mund të qenë aplikuar tjetërkund, pa marrë në konsideratë realitetin politik në vend. I mbështetur në dualzimin e tij politik, Zogu krijoi eventualisht një sistem duke kombinuar idetë Lindore me ato Perëndimore, me gjasë Perëndimore në formë dhe Lindore në përmbajtje. Ky shtet kërshëror i siguroi Zogut centralizmin e nevojshëm për të bërë zap me anë të forcës kaosin dhe mungesën e ligjit te malësorët, si dhe për të mbledhur e bërë njësh të gjithë elementët divergjentë në vend. Pavarësia që fiset e veriut kishin gëzuar për shekuj me radhë, u kufizua në një masë të konsiderueshme. Shumë prej malësorëve u shtrënguan t’i dorëzojnë armët, duke zbritur në mënyre të ndjeshme cubërinë dhe gjakmarrjen. Aty nga vitet 1930, pushteti qëndror njihej në pjesën më të madhe të vendit, çka i jepte mundësi administratës se Zogut të mblidhte taksat dhe të thirrte rekrutët nën armë, gjë që konsiderohej e pamundur fill pas Luftës së Parë Botërore.

E megjithatë kontributi më i rëndësishëm i Zogut ishte dhe më pak i dukshmi. Ai krijoi një mjedis që shpinte në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, një proces që vazhdon edhe sost e gjithë ditën. Eqerem Bej Vlora, shkrimtari dhe diplomati shqiptar, thotë se duke u nisur nga kaosi i fiseve dhe feudalizmit, Zogu nuk krijoi thjesht e vetëm një shtet, po edhe një komb. Në të ka një të vërtetë, edhe pse mund të tingëllojë si diçka e fryrë. Zogu ndërtoi një aparat shtetëror që shpuri në centralizim dhe një farë stabiliteti. Qëndresa që u bëri orvajtjeve të ialianëve për të nëpërkëmbur sovranitetin politik si dhe për të shkelur integritetin territorial të Shqipërisë dëshmoi jo vetëm vullnetin e tij për të mbijetuar, por edhe shkallën e nacionalizmit të atij njeriu. Ndeshja me Italinë siguroi një vatër, edhe pse gjithsesi negative, për rritjen e forcimin e ndjenjave nacionaliste. Zogu përdori gjithashtu në mënyrë efektive mitin e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar të shekullit të pesëmbëdhjetë, ndaj dhe duke bërë të vetën e përdorur si simbol përkrenaren e tij, ai ndihmoi jo vetëm për të gjetur një ideologji kombëtare, por edhe ta shtrinte te vetja e vet. Në kohën kur u ngjit në pushtet, për Zogun ishte më e rëndësishme krenaria lokale sesa identiteti kombëtar. Edhe pse ajo çka ai beri ndoshta nuk u ngrit dot në nivelin e krijimit të një kombi, nuk ka dyshim që hodhi hapa të rëndësishëm në atë drejtim. Ata që erdhën pas tij në udhëheqje të vendit dhe rinisën përpjekjet për ndërtimin e një shteti-komb e patën më të lehtë këtë detyrë, edhe si rezultat i hapave të ndërmarrë nga ana e Zogut në drejtim të zhvillimit të nacionalizmit shqiptar.

 

Doktor i Shkencave NOVRUZ ZEJNATI

Kolonel në rezervë

Tiranë, 1932-1937. Rolin që sot e lu­ajnë shkallët e hyrjes së Presidencës, 80 vjet të shkuara e luanin shkallët e Pallatit Mbretëror, duke u përdorur si sfond për fotografitë zyrtare të kreut të shtetit.   

Në foton e parë, shfaqet Zogu I, Mbret i Shqiptarëve tashmë prej gati 5 vjetësh, i rrethuar nga disa prej bash­këpunëtorëve të tij më të ngushtë. I pa­ri në radhë është kolonel Zef Serregji, adjutant i Mbretit, që i qëndroi pranë për rreth 15 vjet. Në gjoks mban dekoratën e Oficerit të Urdhërit të Besës, që sapo ja kishte dhënë mbreti, i cili do thënë se qe shumë dorështrënguar në dhënien e kësaj dekorate. Në krah të tij, kapardiset me barkun që ka filluar t'i fryhet, Xhemal Aranitasi, Komandant i Mbrojtjes Kombëtare, në supet e të cil­it sapo janë vendosur spaletat e gjener­alit, ndërsa krahëqafë ka fashon e Kor­donit të Madh të Urdhrit të Skënder­beut. Pastaj vazhdon gjeneral Gjilardi (Leon de Gilardy), Inspektor i Përgjith­shëm i Ushtrisë, që do të vritet tre vjet më pas në Kryengritjen e Fierit. Djaloshi në krah të Mbretit, është nipi i tij Esat Kryeziu, i njohur si princ Tati, i mbetur jetim pas vrasjes se të jatit Hy­sen bej Kryeziut (Ceno begut). I fundit në radhë, duhet të jetë ndonjë nga ofi­cerët e oborrit. Vetë Zogu mban në gjoks të gjitha dekoratatshqiptare. I gjithe grupi mban veshur uniformat e paradës model 1931 ngjyrë gri – e gjelbër, që janë sipas modës italiane të kohës.

  Fotografia e dytë është bërë sërisht tek hyrja e Pallatit Mbretëror, pot 5 vjet pas të parës. Në të njëjtin vend, në të njëjtat shkallë. Mbreti pozon i rrethuar po nga njerëzit më të afërt të oborrit. Prapa tij qëndron sërisht adjutanti i mbretit, Zef Serregji, që tani ka arritur të marrë spaletat e gjeneralit dhe kështu të barazohet me Aranitin. Në krah të tij, me uniformë diplomati me kapele me pupla, qëndron Sotir Martini, që në këtë kohë ka funksionin e sekretarit të veçantë të mbretit dhe qe do ta ndjekë atë edhe në kurbetin e gjatë, deri në fund të jetës. I fundit në rradhë, është major Allaman Çupi, nga Çupët e Burrelit, merita kryesore e të cilit, ishte të qenët matian si mbreti i tij, ndërsa në skajin tjetër qëndron nënkolonel Hy­sen Selmani, komandant i Gardës Mbretërore.

Në këtë foto, të gjithë mbanin unifor­mat e reja model 1936, duke ndjekur sërish ndryshimin e modës në Itali, e cila e kishte adoptuar këtë tipologji uni­forme në vitin 1934. Shkallët dhe ballkoni që duket pas tyre, qëndrojnë edhe sot në të njëjtin vend, por në to nuk ngjiten më mbretër, princër e gjeneralë, por Akademiket e moshuar, që në këtë godinë kanë Selinë e Akademisë së Shkencave, deri në ditën që kjo godinë me gjithë historinë e saj të mund të kthehet në muze.