Nga Moikom Zeqo
1. Në vitin 1979 në Muzeun arkeologjik të Durrësit, ku unë punoja, organizova Sektorin e Arkeologjisë Nënujore, për herë të parë në Shqipëri. Kam bërë deri në vitin 1989, shtatë ekspedita arkeologjike nënujore, së bashku me mikun tim Xhemal Maton, regjizor në TVSH; kemi bërë gjithashtu 7 filma dokumentarë të arkeologjisë nënujore.
Këto 25 vitet e fundit sipas mediave, kanë ardhur disa ekspedita të huajsh për kërkime arkeologjike nënujore dhe në mënyrë të pabesueshme nuk e përmendin fare kontributim e madh dhe real të Sektorit të Arkeologjisë Nënujore dhe zbulimet tona të mëparshme i kanë paraqitur sikur i kanë bërë për herë të parë. Kjo është arsyeja kryesore për të ravijëzuar një skicë të jetës time si arkeologu nënujor.
Deti është një botë e madhe me një ekzotikë të veçantë që të rrëmben. Ai është origjina e lindjes së jetës, një monument gjigantesk i gjallë dhe përherë në lëvizje i saj.
Në gjuhën shqipe fjala “det” është katërcipërisht autoktone dhe e brumit të lashtë indo-europian e do të thotë “thellësi”.
Dhe me të vërtetë, deti s’është vetëm sipërfaqja e sipërme e shkumëzuar e dallgëve. Deti është një univers tredimensional i ujit, me gjeografinë e tij të nënujshme, me një faunë e një florë të panumërt, me të fshehtat e enigmat e tij nga më të çuditshmet, kuptimi në zanafillë i fjalës “det” na shtegton në muzgun e shekujve më të hershëm të shoqërisë njerëzore, kur njeriu me anën e drurit, të gdhendjes së trungjeve në sëpata guri, bën mjetet e para lundruese, kur hedh grepat e parë prej kocke e prej bronzi e krijon mitologjinë e perëndive në fundin e detit.
Deri te maska e akualangistit duhet të kalonin dhjetëra e dhjetëra shekuj që njeriu të kuptonte se perëndia e thellësive të detit s’ishte gjë tjetër përveç vetja e tij. Zbulimeve arkeologjike i shtohet, një dimension i ri: ai i zbulimeve nën det.
Arkeologjia e tokës ndërthuret kështu me arkeologjinë e nënujit. Hidroarkeologjia është një disiplinë e re shkencore që lindi në fillim të shekullit tonë. Arkeologjia e nënujit për shumë zhytës të detit Mesdhe e të brigjeve të tij ishte më tepër një pasion tërheqës dhe sport. Rrjetat e peshkatarëve përshkonin së bashku me ihtofaunën detare edhe relike të lashtësisë: copa statujash kapitale, enë transporti etj
Në vitin 1900 në afërsi të ishullit Antikitherë midis Kritit e Peloponezit, detarët e një anijeje që kishte hedhur spirancën atje, vunë re që nga bordi i anijes, në fund të thellësisë 50 metra, shumë figura monumentesh, statuja mermeri e bronzi gjysmë të mbuluara nga rëra e pastër dhe e ndritshme poshtë. Një muze i tërë antikitetesh në fund të detit.
Për arkeologun zhytës bota e detit fsheh të papritura të këndshme e fakte të reja. Vargjet e famshme të De Radës: Ujët e ri të detit/ kaltëruar ditëve të reja, marrin kështu një kuptim të veçantë për eksplorimin e kësaj bote dhe i japin poezi dhe dritë hidroarkeologjisë e bëhen një motopoetikë e arkeologë zhytës të nëndetit.
2.
Në vitin 1860 arkeologu e historiani francez Leon Hezei, erdhi në Durrës për të studiuar relievin ku ka
ndodhur lufta midis Cezarit e Pompeit.
Ai u mor edhe me antikitetet e qytetit dhe kështjellën detare të tij. Hezeit i bëri përshtypje ndërkohë gojëdhëna popullore, të cilën e dëgjoi nga banorët për Durrësin e përmbytur në det. Ai kërkoi me ngulm, me gjithë kohën e paktë që kishte në dispozicion të provonte saktësinë e kësaj gojëdhëne interesante.
Në limanin e Durrësit ndodhej anija franceze “Lë Bichë” (“Suta”). Me sa duket anija kishte mjete polumbare. Hezei ju lut kapitenit të anijes që të eksplorohej deti në bregun perëndimor të qytetit ku dukej shkoqur vija e gumave e disa shkëmbinjve konglomerat.
Hezei mendonte të gjente mure ose gjurmë ndërtimesh njerëzore mbi gumat, të bërë nga të vjetrit, me qëllim që të përfitonin strukturën e një moloje. Me shënimet e tij ai tregon se eksplorimi nuk dha ndonjë rezultat.
Hezei në bordin e anijes Lë Bichë nuk pati atë fat që patën 40 vjet më vonë detarët e anijes që hodhi spirancën në Antikithere e që përmendëm më sipër. Por sidoqoftë kjo ishte tentativa e parë serioze për të studiuar Durrësin antik jo vetëm në tokë por edhe në det. Hezei kontrolloi vetëm një pikë të kufizuar të bregut e s’pati kohë të kontrollonte tërë vijën e tij gjatë së cilës shtrihet qyteti.
Del pyetja: gojëdhëna popullore mbështetet në të vërtetën apo është thjesht fantazi e paargumentuar? Për t’i dhënë përgjigje të saktë kësaj pyetje duhen marrë në konsideratë e studiuar shumë fakte që na kumtojnë kronikat historike.
Përcaktimi i topografisë e shtrirjes së qytetit të vjetër, ka të bëjë me truallin ku është vendosur qyteti, por edhe me fenomene të tillë natyrorë që e ndryshojnë sipërfaqen e truallit siç janë tërmetet. Historia përmend 3 tërmete të mëdha që e kanë dëmtuar rëndë qytetin; në vitin 345, 518, e në korrik 1275.
Në traktatin anonim të shekullit IV të erës së re “escriptid totius mundi et gentium” (Përshkrim i gjithë botës e popujve) flitet për tërmetin e vitit 345 si një tërmet me fundosje e mbulimin e qytetit nga dallgët, pra me karakter tektonik.
Nuk e dimë natyrën e tërmetit të dytë, kurse për të tretin kemi një kronikë të plotë: “Aty nga muaji korrik e tronditnin dheun vazhdimisht zhurma, të cilave mund t’u themi edhe gërmime që tregonin se së afërmi do të ngjiste një e keqe… kur erdhi nata, pas këtyre zhurmave, u bë një tërmet i rëndë dhe më i madhi nga ata që përmendeshin. Ky nuk qe një drithmim i dheut anash ose pjerrtas, por një lëkundje e fortë nga poshtë lart sa që në një çast tërë ai qytet u kthye nga themelet e ra për tokë. Shtëpitë e ngrehinat që nuk qëndruan aspak, por u shembën e ranë duke zënë njerëzit brenda, pasi s’kishin nga të iknin”. Mbi lagjet e jashtme vërshuan dallgët e detit. Çdo gjë u shkatërrua përveç Akropolit që i qëndroi tërmetit. Kështu thuhet në kronikë.
Të tërheq vëmendjen fakti se lëkundjet e tërmetit janë nga «poshtë lart» lëkundje që sizmologjia i klasifikon si lëkundje sipërfaqësore. Pra edhe ky tërmet ka patur karakter tektonik.
Të dhënat e sizmologjisë në harmoni e përputhje me atë të historisë ndihmojnë për caktimin e vijës së bregut që ka ndryshuar si pasojë e fenomeneve të tërmeteve e si rrjedhim lokalizon pikat më të mundshme të punës për hidroarkeologjinë.
Natyrisht janë tërmetet që i kanë dhënë lëndë origjinës së gojëdhënës. Me sa duket shkatërrimet më të mëdha të qytetit të vjetër janë bërë në pjesën veriore. Hezei dëshmon se midis lagjes Stan dhe kuotës 70 ka patur deri vonë çarje të dheut deri në disa metra thellësi si pasojë e tërmeteve.
Në veri të vargut kodrinor të Durrësit deri në shekullin XII-të ekzistonin shumë gërmadha ndërtimesh të lashta.
Ana Komnena në “Aleksiadën” tregon se në këto gërmadha ngritën kampin e tyre ushtritë normane që kishin rrethuar Durrësin në vitin 1081. Të njëjtin fakt na e jep edhe Gulielmi i Apolias. Në një gravurë anonime, që është njëkohësisht edhe vizatim topografik, të vitit 1571 ku paraqitet fortesa e Durrësit në pjesën veriore të saj janë fiksuar edhe gërmadhat e një muri e kulle kështjelle bile duket edhe një portë. Këto mund t’i identifikojmë me traktet e portën e Porto Romanos.
Porto Romano, ose siç quhet në gjuhën e popullit, Portëza, ka rëndësi të posaçme për rindërtimin e topografisë së qytetit të vjetër. Sipas mendimit tonë, ka shumë mundësi që këtu të kemi të bëjmë me bërthamën e djepin urban të qytetit të parë. Në fakt, toponimi ruan jehonën e ndërtimeve romake e të pushtimit romak, të bëra me sa duket mbi ndërtime më të hershme.
Lukiani, shkrimtar romak i shekullit I-rë të erës sonë na e përshkruan kështu qytetin e Durrësit nëpërmjet vargjeve që i korrespondojnë këtij visi:
Atë që e forcon këtë vend, natyrën e pozicionin e vendit
asnjë hekur nuk mund ta shkatërrojë. I rrethuar nga një humnerë e pafund
në çdo anë dhe nga një det që vjell shkrepa…
Mbi thepat e tmerrëshme për anijet mbështeten muret
dhe kur fryn era e vrullshme e jugut ngrihen dallgët,
lëkunden tempujt dhe shtëpitë
e deti shkumëzon deri tek çatitë.
Për plotësimin e kuadrit në fjalë na ndihmon hidroarkeologjia.
Gjatë bregut ranor që lidh Portëzën me Bishtin e Pallës disa qindra metra në veri të hidrovorit, po të hetosh me kujdes do të shikosh copa qeramike të guackuara të hedhura nga dallgët. Këto copa qeramike drejtimin e daljes së tyre e kanë nga deti.
Hetimi me akualang në këtë zonë solli rezultatin e dëshiruar e kuptimplotë. Jo shumë larg nga vija e bregut, në det, në një thellësi afro 2 metra gjendeshin trakte muresh prej guri.
Gurët ishin poligonalë e të vendosur njëri mbi tjetrin pa llaç, me nga një kanal të gdhendur në anë për t’u kapur e mbajtur me njëri-tjetrin.
Ky lloj ndërtimi është më i vjetri i gjetur deri tani në Durrës, i ngjashëm me ato të kalave ilire. Trakti kryesor i cili përbëhej nga gurë me përmasa: 0,79 m x 0,64 m x 0,32 m, 0,97 m x 0,61 m x 0,38 m, 1,02 m x 0,85 m x 0,55 m, 0,73 m x 0,45 m x 0,58 m etj. ka drejtim veriperëndim, juglindje. Lartësia e tij është deri tre gurë të tillë njeri mbi tjetrin e ndodhet disa centimetra mbi sipërfaqen e ujit gjatë zbaticës. Ky fakt afro 3,5 m mbaronte me një gur në formë sipërfaqësore të sipërme e të poshtme trekëndëshe me brinjë 1,04 m x 0,99 m x 0,93 m me funksionin e një guri qosheli, për të ndërlidhur e bashkuar një trakt tjetër perpendikular me gurë të përmasave më të vogla.
Pak metra më tej zgjatej një trakt i tretë, paralel me të parin me gurë të përmasave të përafërta me traktin e parë. Shumë gurë të përmasave të ndryshme me kanal të gdhendur janë shpërndarë pa rregull nëpërmjet trakteve e jashtë tyre deri në afro 15 metra, nën fundin ranor e me leshterikë deti të shkulura e të lëvizura andej këndej nga dallgët.
Është e qartë se këto gurë janë zbërthyer nga i njëjti konstruksion ndërtimi. Ajo që të bënte përshtypje të dukshme qe qeramika masive me fragmentet e të cilës fundi i detit qe plot. Një pjesë e kësaj qeramike qe mbuluar nga llumi që derdh në det këtu pranë hidrovori.
Po ta shkelësh zbathur fundin e detit do të ndjesh se si nën shtresën e llumit këmba të takon copa qeramike. Llumi është mbuluar edhe nga bimësi deti, një lloj bari i shkurtër e i shpeshtë si dhe sallatë deti. Qeramika përbëhet nga tjegullat.
Tjegullat janë disa llojesh. Kryesisht janë tjegulla të tipit solene, të mëdha e të sheshtë dhe tjegulla të tipit keliptere, gjysmë cilindrike me kurriz e me buzë anësore të ngritura. Dallohen edhe tjegullat që përdoren për kulme me buzë perpendikulare e kurriz në formë trekëndëshi e jo më të gjatë se gjysmë metri.
Kjo qeramike është tipike helenistike e përdorur në shekullin IV para erës së re deri në shekullin I të erës sonë. Korresponduese e lloje analoge si tjegullat e mësipërme janë gjetur edhe në nekropolin e lashtë të Durrësit dhe të Apollonisë të përdorur për ndërtimin e varreve.
U nxorën edhe tjegulla të ngjashme me tipat e sotme por të gjatë deri në 0,80 m, të përdorura në periudhën romake deri në mesjetën e hershme. U gjet bile edhe një lloj tjegulle e lyer me vernik të kuq nga brenda dhe e sigluar nga jashtë me dy gërryerje paralele prej disa centimetrash.
Mënyra e ndërtimit të murit dhe karakteri i qeramikës ekzistuese flet se ky konstruksion të paktën është bërë dy tre shekujt e fundit para erës sonë e ka qenë përdorur nga njerëzit në vazhdimësi deri në periudhën e antikitetit të vonë e në mesjetën e hershme.
Për të përcaktuar se ç’përfaqëson konstruksioni i mësipërm është e nevojshme që kërkimet nënujore të vazhdojnë më tej si edhe për të gërmuar llumin e fundit të detit për të zbuluar ato që fsheh ai.
Deri tani s’janë gjetur monograme mbi tjegullat por mundësia për të gjetur është, sepse fundi i detit ka plot fragmente tjegullash të thyera, me qindra fragmente të tilla.
Mos kemi të bëjmë me mbeturinat e një pike fortifikuese në grykëderdhjen e kënetës me detin? Apo me shtëpi banimi të lashtë apo ndërtesë publike? Këtyre pyetjeve s’mund t’i përgjigjemi dot tani për tani. Në këtë territor duhen kërkuar e gjetur edhe ekstraktet e tempullit të njohur të Artemisit, në portat e të cilit arritën legjionarët romakë të Cezarit në luftë me Pompeun. Shumë enigma presin të zgjidhen nga arkeologu.
Në fundin e detit nga Portëza në Bishtin e Pallës peshkatarët kanë nxjerrë me anë të rrjetave shumë mbeturina arkeologjike, të karakterit arkitektonik. Nga historia shënohen në këtë zonë shumë anije të vjetra të mbytura. Në vitin 1081, kur ushtritë normane kishin rrethuar Durrësin, mbrojtësit zhvilluan një betejë detare me flotën normane, në të cilën u mbyt edhe anija më e madhe e Boemund Guiskardit, princit udhëheqës të forcave normane. Gjatë kryqëzatës së parë, këtu është mbytur edhe anija e princit frëng, Hugues de Vermandois, vëllai i Filipit të I-rë.
Moli i Portëzës e ai i Bishtit të Pallës kanë qenë të përmendura përherë si vend strehime të anijeve pirate.
Durrësi ka qenë jo vetëm port i rëndësishëm i Adriatikut, por edhe bazë kryesore për flotën perandorake të Bizantit dhe të osmanëve si dhe një kantier i madh i ndërtimit të anijeve. Për hidroarkeologjinë ka rëndësi hetimi i mbeturinave të anijeve të lashta në fund të detit e sidomos të tipave vendase.
Në një monedhë të Durrësit është stamposur pjesa e përparme e një anijeje ilire.
Prashnikeri dëshmon se në një sarkofag të zbuluar në Durrës është e gdhendur edhe figura e një anijeje me origjinë vendase. Anija është me vela e ka një kiç të ngritur shumë përpjetë e një kuvertë të shkurtër. Mbi direkun ngrihet një velë e madhe e vizatuar në formën e një fushe shahu. Me këtë gdhendësi ka dashur të paraqesë rripat prej lëkure të qepur horizontalisht e vertikalisht për të forcuar velën e anijes.
Kjo dëshmi deri tani është e vetmja për llojin e anijeve vendase të përdorura në bregdetin e Durrësit.
Siç shihet menjëherë anija është e ngjashme me ato të labeatëve që në bash dhe tek limani kishin lartësi dhe pulena në trajtë gjarpri si elemente kulti.
Këto anije kanë qenë kaq të përhapur në Adriatik sa që shkrimtari bizantin i shekullit VI të erës sonë J.Lydos e quan figurativisht Adriatikun si një det ku notojnë gjarpërinj (drakantophoron). Hidroarkeologjia patjetër do të kontribuojë edhe në këtë drejtim, për përcaktimin e tipave e llojeve të anijeve të lashta e të mesjetës, mbytur në këto brigje.
3.
Kalaja në Kepin e Rodonit, siç dihet, disa trakte të mureve të saj i ka në det.
Vëzhgimi me akualang i bazamentit të këtyre trakteve dhe truallit ku janë vendosur themelet tregon se ato janë pjesë përbërëse e unike të kalasë në fjalë.
Grykëderdhja e lumit të Ishmit në det është një pikë me interes për hidroarkeologjinë sepse këtu ka qenë një mal i përmendur sidomos në analet mesjetare.
Nga një pikë deri në Bishtin e Pallës hapësira detare e bregut, mendojnë se duhet të kenë patjetër material arkeologjik nën det. Zona Bisht Pallë – Porto Romano është më premtuesja në këtë aspekt.
Në jug të shkëmbit të madh të Porto Romanos vazhdojnë si me shpatë shkëmbej konglomerat tepër të thepisur me faqe pingul.
Nga disa të dhëna del, se mbi to ka patur mure të lashtë. Deri tani kemi vëzhguar dy trakte, një i mbetur sipër në kodër e tjetri i rrëzuar poshtë në kontakt me detin. Muri është i ndërtuar si teknikë “bizantine” me material të përzier, me gurë e tulla të lidhura me llaç, të përbërë nga gurishte e rërë deti me guaskë. Tërë vija e bregut deri në Currila, në perëndim të qytetit të sotëm, paraqet gjithashtu interes për arkeologun e nëndetit.
Sipas Hezeit, Currilat kanë përbërë dikur një lagje të qytetit antik.
Hezei vë në dukje episodin e përmendur nga Polibi në vitin 229 para erës sonë për pushtimin e qytetit Epidamn me anë të dredhisë të detarëve të mbretëreshës Teuta që donin të mbushnin ujë dhe në amforat kishin fshehur shpatat, episod që na shtyn të mendojmë për ekzistencën e burimit të Currilave brenda mureve të rrënojës së vjetër.
Gojëdhana e trashëguar i konsideron Currilat si një pjesë të qytetit të përmbytur në det.
Në truallin pranë vijës së bregut janë gjetur deri tani pak gjëra: një gur varri si edhe një trakt i lashtë muri pak a shumë i së njëjtës natyrë me traktin e zbuluar në vendin ku është ndërtuar tani pishina e motit.
Shpatet perëndimore të kodrave argjilore të Currilave, domethënë me faqe nga deti i janë eksploruar nga aspekti arkeologjik.
Po t’i shikosh nga një kuotë e lartë, gumat zgjaten njëra pas tjetrës në drejtim të veriperëndimit e të japin përshtypjen e një vije pak a shumë të drejtë.
Kjo përshtypje i ka dhënë argument gojëdhënës popullore për muret e përmbytur nga deti. Por vëzhgimi me kujdes me akualang e polumbar i këtyre shkëmbinjve konglomerat nuk flet për mure të ndërtuar nga njerëzit por për një vepër të natyrës.
Në zonën e Currilave kemi zhvilluar seanca të shumta zhytjesh me akualang. Qëllimi i këtyre zhytjeve ka qenë zbulimi i provave arkeologjike.
Kemi parë me kujdes gumat, ose “gurët” siç i quajnë vendasit, që i klasifikojnë edhe në këtë mënyrë “gurët e parë”, “gurët e dytë”, “gurët e tretë” etj., sipas largësisë nga bregu, e deri tani tek to s’kemi ndeshur në fragmente muresh dhe ndonjë shenjë ndërtimi të lashtë apo të ri.
Fundi i detit këtu paraqet një pamje të mrekullueshme e fantastike. Shkëmbinjtë janë të mbuluar nga algat e leshterikët e detit e trualli është kaotik, plot shpella të thella e tunele erozioni.
Në dy raste kemi hetuar të hapur tej përtej në shkëmb diçka të ngjashme me harkun e përkulur të një porte. Me anë të një dalte gërvishtëm shkëmbin për të kuptuar se mos vallë mbishtresa e guaskave e bimëve detare kishte mbuluar një ndërtim njerëzor, arkitektonik.
Ishte një kapriçio e bukur e natyrës dhe e erozionit që të prekte fantazinë e asgjë më tepër. Kërkimet e mëtejshme e mungesa e rezultatit të kujtonte provat e Hezeit për eksplorimin e shkëmbinjve gumorë në këtë vend, 116 vjet më parë.
Më në fund, mbas informimit nga ana e notarit K.Karamuço i vazhduam zhytjet në një pikë tjetër që thërritet nga peshkatarët me emrin “kanali” për arsye se këtu ka përmes botllës argjilore plot leshterikë një thellësi më të madhe në formën e një kanali disa metra të gjerë që të nxjerr përtej gumave e cekëtinës së zakonshme të gjirit të Currilave.
Këtu, në thellësi, hasëm papritur një trakt muri, me drejtim të përkulur i cili vazhdonte pak metra e hynte në batull. Muri dukej qartë, ishte një ndërtim prej tullash. E vërejtëm me kujdes të dyfishtë. Ky mur ruante enigmën e madhe të tij përmes shekujve e thellësisë së ujit, një dëshmitar memec i gojëdhënës së Currilave, relike e sigurtë e origjinës e ekzistencës së saj nga njeri brez në tjetrin.
Mendimi jonë është se këtu kemi të bëjmë me një trakt të veçuar muresh antikë por në afërsi e përreth tij patjetër duhet të ketë edhe gjurmë të tjera. Llumi e rëra e batllave ka mundësi t’i ketë mbuluar, prandaj për të ardhmen del e nevojshme dhe e domosdoshme gërmimi i truallit, nënujë. Si fill i Arianës në këtë labirint shërben ky trakt muri me tulla që i ka rezistuar mbulimit të plotë nga llumi.
Në jug të gjirit piktoresk të Currilave aty ku bëhet kthesë e udhës automobilistike drejt fabrikës kimike e muzeut arkeologjik, në një vijë të gjatë në drejtim të perëndimit, të kuotës 98, në largësi prej disa qindra metrash tutje në det, zgjatet një cekëtinë e madhe prej disa hektarësh.
Thellësia e ujit, është më pak ose një metër dhe kur ka zbaticë të theksuar, tërë kjo cekëtinë batllash evidentohet mbi sipërfaqen e ujit. Kjo zonë thirret me emrin “Batlla e madhe”.
Pikërisht prej këtej kemi gjetjen e një numri të madh amforash të vjetra e fragmente të tyre. Në tërë shtrirjen e batllës ka gropa e shpella të gërryera si xhepa të thellë anash në pjesën e poshtme të gropave.
Gjetjet e shumta të amforave e të fragmenteve të tyre flasin për anije të vjetra të mbytura gjatë shekujve.
Mos vallë kjo na lejon të përftojmë idenë që në mbarim të batllës të kemi patur një pikë ankorimi, të anijeve në lashtësi? Me sa duket jo. Trualli argjilor s’është i përshtatshëm aspak për këtë. Amforat e grumbulluara nëpër xhepat e nënujshëm kanë “ngecur” gjatë lëvizjes së rrymave nga veriu e jugu.
Vëzhgimi nëndet i zonës përparme hotel “Iliria” dhe rreth e qark portit e në radë ka rëndësi e vlerë sepse
Historia shënon shumë mbytje të anijeve në kohë të hershme dhe të reja, (këtu ndodhen dhe vaporët e huaj të mbytur gjatë luftës së fundit).
Vlen të theksohet diçka: gjatë gërmimit me dragë në portin e ri u gjet një çekan prehistorik. Ky element i neolitit është i vetmi i këtij lloji i gjetur në tërë territorin e brendshëm të Durrësit.
Gjetja e tij në këtë pikë flet ndoshta për një vendbanim fillestar prehistorik, por kjo s’e përjashton aspak tezën e krijimit të qytetit të parë në pjesën veriore për arsye se qyteti si institucion i zhvilluar e përfaqësues i jetës urbane është relativisht një fenomen më i vonë dhe i ndryshëm nga vendbanimet neolitike e primitive që siç dihet ishin të lëvizshme e zhvendoseshin shpesh.
Si pika të tjera kërkimi paraqiten për hidroarkeologun edhe zona mbas portit të ri e ndërmarrjes së peshkimit i quajtur nga vendasit me emrin “donamet”, zona para shkëmbit të Kavajës, në Bardhor, në kalanë e Turës etj.
Publikuar në gazetën “Dita”





