“Ata hyjnë pa trokitur” ishte drama që tejmbushi teatrin “Aleksandër Moisiu”, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Historia e një çifti që rron nën frikën, agoninë  e pritjen për mbërritjen e atyre që quheshin dikur “sigurimsat” u soll me mjeshtëri nga Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Drama me regji të Armand Borës shfaqi para publikut, ankthin me të cilin një çift pret të internohet, burgoset apo merret në pyetje nga sigurimi i shtetit edhe pa bërë asnjë krim.

“ Burri: Shkova të ngushëlloja shefin për vdekjen e të atit: Duhet të ketë qenë e rëndë për ju.

Shefi: Po sigurisht, shumë e rëndë. Unë prisja që babai im të vdiste në front të punës, por ai shkon e më vdes në gjumë, si kokrra e mollës. Që prej këtij momenti unë nuk kam më baba, babai im është ai atje.. (tregon me gisht portretin e Enver Hoxhës).

Burri: Ndërkohë të gjithë punonjësit shpërthejnë në brohorima: Bravo, bravo, bravo…

Gruaja: Po ti ç’i the?  Duartrokite edhe ti apo jo?

Burri: Unë i thashë: E po të të rrojë yt atë edhe jot ëmë!

Nga kjo situatë absurde fillon edhe kalvari i frikës dhe peripecive për dy bashkëshortët, të cilët nuk gjejnë dot më paqe dhe vuajnë në pritje të tyre, duke imagjinuar se çfarë do t’i bëjnë, ku do t’i çojnë e si do të jetë jeta e tyre në këtë vend, ku njerëzit janë si të vdekur.

Realizimi i kësaj drame në bashkëpunim me OSCE- në, vjen me qëllim hapjen e dialogut për të folur për të shkuarën komuniste në Shqipëri.

Gazetarja Monika Stafa është shprehur plot emocion për këtë shfaqje, duke e konsideruar të rëndësishme për të kuptuar atë çfarë ka ndodhur dhe për të ecur përpara.

Ndërkohë Pietro Sardoro, përfaqësuesi i prezencës së OSBE- së në Shqipëri, e ka konsideruar "Ata hyjnë pa trokitur", si një dramë të mrekullueshme, që nuk është vetëm artistike, por edhe fillim i dialogut për të shkuarën e dhimbshme të shqiptarëve. Më tej ai zbuloi për publikun një projekt të rëndësishëm të OSBE- së, botimin e një ankete kombëtare, rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri, që mund të publikohet nga fundi i tetorit.

Drama e dhimbshme që paraqiste një periudhë të errët të shoqërisë shqiptare, u mirëprit nga publiku durrsak i të gjitha moshave dhe bëri që si rrallëherë, në teatër të mos kishte asnjë karrige bosh.

Në fund të shfaqjes artistët kanë vijuar me diskutime rreth periudhës së komunizmit dhe ditëve të sotme.

R.O