Nga Besi Bekteshi

Në ditën e “Fletores Zyrtare të Vetingut” një televizion kombëtar tashmë në rolin e madh të gjetjes së ekuilibrit politik të ri – kishte “zbuluar” se Prokurori i Republikës Llalla, ishte kërcënuar me jetë si ai dhe familja, dhe kështu e kishte larguar atë, në mënyrë permanente nga Shqipëria?!

Njeriu numër një i akuzës, Kryeprokurori Llalla, i cili u bë një Prokuror i Përgjithshëm në diskutim të madh në lidhje me skadencën e mandatit të Ina Ramës, apo ish Kryeprokurores – na ishte kërcënuar me jetë, sipas lajmit të famshëm pikërisht nga një burg dhe nga disa sms “miqësore”?! Kështu që një vend mik – i kishte dhënë mundësinë të banonte familja e tij, pranë një komisariati policie që të gjithë (pothuaj) kanë gjashtë muaj që e dinë se është Gjermania?! Biles ky e vizitonte javë për javë! Pak a shumë, i bie të kenë shkuar në valën e refugjatëve shqiptarë dhe sirianë në Gjermani! Biles në mos gabohem, kur dilnin fotot e të bijës, me makina luksoze diskutoheshin dhe vendet ku banonin – sepse shtypi dhe rrjetet sociale i kanë këto momente jo fort të bukura si prishje e “privacy”! Më vjen keq që Llalla është kërcënuar dhe më vjen mirë që familja është siguruar – dhe gëzohem shumë se puna vazhdon në prokurori pa asnjë problem! Pra gjithçka mirë e bukur fort!

Problemi është, pse ky lajm ditën e vetingut xhanëm?! Për çfarë ky lajm, kur doli ligji i Vetingut në Fletoren Zyrtare?! Pse për njeriun që kishte qenë ish-kreu i kontrollit të pasurive – dhe as që kishte bërë një aksion të vetëm si institucion për pasurimin e padrejtë, galopant, arrogant pikërisht në ato vite?! Si shpërblim e punës së mirë u bë nga një forcë politike që është sigurisht Partia Demokratike, në saj dhe të persekutimit të tij dhe familjes, dhe sigurisht kontributit politik dhe militant – edhe Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë?! Ai sot qenka kërcënuar me jetë dhe paska larguar familjen jashtë shtetit, dhe na “vazhdoka” punën, por cilën punë?! Cilën aferë të madhe bëri si akuzë dhe e zgjidhi apo fitoi Llalla dhe Prokuroria e tij, që njerëzit apo shqiptarët të bëjnë një – Ahhhh?! Cilin bandit të veshur me pushtet politik akuzoi Llalla dhe institucioni i tij që njerëzit të besojnë se ky Prokuror i Përgjithshëm – është në vijë të parë kundër krimit dhe organizimit të tij dhe mbrojtësve politikë të tij në Shqipëri?! Nuk ka një shembull. Kryeprokurori dhe prokuroria e Përgjithshme, janë institucioni dhe njeriu më i mefshtë, dhe më i paaftë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri?! Mirëpo dikush tani na e paska kërcënuar dhe sigurisht i pari që e mbron është doktor Berisha?! Ai i del zot, dhe ngre akuzën e zakonshme të tij. Mjafton të të mbrojë ai, dhe sigurisht që “kërcënimi është provuar” në mrekullinë e dijenive të njeriut me informacione kriminale në Shqipëri?! Imagjinoni çfarë institucioni drejton dhe ka ngritur Llalla! Pa bërë asgjë, pa kryer asnjë veprim të madh, aksion të fortë, apo arrestime të mëdha, kërcënohet Kryeprokurori! Pyetja lind vetiu: Po sikur të arrestonte, apo bënte ndonjë gjë të madhe kundër krimit – çfarë do ti bënte vaki këtij njeriu, si institucioni më i madh i akuzës dhe për të cilin sponsorizojnë dhe të huajt?!

Llalla dhe Prokuroria e Përgjithshme, jo vetëm nuk kanë bërë asgjë, janë treguar në mos bashkëpunëtorë me krimin politik dhe atë të rrugës, një model “qetësie antikrim” por akoma më shumë, janë institucion dhe person tashmë i pabesueshëm dhe dreqësisht (opinioni im) i anuar politikisht në Shqipëri?! Nëqoftëse prokuroria e Llallës, do të ishte institucion drejtësie, jo politik, por profesionist (gjë që nuk e kam besuar kurrë për Llallën) nuk do të kishte nevojë për asnjë prej institucioneve, të cilat kaluan me ligjet e reja kushtetuese, për luftën kundër krimit dhe arrogancës së tij në Shqipëri që shoqërohen dhe mbrohen nga politika?! Sepse nuk do të kishim nevojë – sepse do të ishte Prokuroria dhe pikë?! Por meqë ajo nuk kryen punë, në pamundësi ta shkrijnë fare – shpikin institucione të tjera të reja në luftë të vërtetë kundër krimit. Kur lindin këto institucione dhe vjen ligji i Vetingut- tak, del lajmi i kërcënimit të Llallës?! Çfarë rastësie apo jo?!

Llalla sigurisht që tani mund të jetë i kërcënuar – por jo kaq shumë nga keqbërësit si në burg dhe jashtë, sepse nuk ju ka bërë asnjë të keqe. Ai kërcënohet po – në shfryrjen dhe diskreditimin që i vjen nga formimi i organeve paralele me Prokurorinë e Përgjithshme. Deri në ditën e fundit të punës së tij, Llalla mbeti sponsor politik i doktorit në drejtësinë e munguar si akuzë dhe një pjese të PD-së – por asaj pjese, që i leverdis modeli krimi, në kontrollin politik të një pjese politike në Shqipëri!

Llalla do të largohet duke dalë si një “hero” i kërcënuar nga krimi?! Këto janë marrëzira politike dhe një lojë shumë e dobët aktoreske e tij dhe miqve të tij. Heronjtë kundër mafies dhe krimit të organizuar, por dhe atij politik, janë shembuj të lartë në Italinë fqinje? Janë prokurorët e jashtëzakonshëm si Falkone dhe Borselino, apo gjeneral Della Chiesa, që vërtetojnë të kundërtën e telenovelave të një skenari të dobët si te ne. Të tillë njerëz u kërcënuan, u gjuajtën, u lanë edhe vetëm – por luftuan deri në fund, deri sa vdiqën, sepse nuk luanin teatër dhe nuk i shërbenin politikës. Prokurorët e “Mani Polite” Borreli e Di Pietro, Davigo dhe Greco, Colombo dhe Parenti, Boçassini e D’Ambrosio – u kërcënuan, sepse futën njerëz të shumë dhe të lartë mbas hekurave dhe shkatërruan një klasë politike të gjithën në Itali?! Çfarë ka bërë ky i joni që të – kërcënohet kështu?!

Gjithsesi duke më ardhur keq (njerëzisht), mbase do të ishte më mirë dhe më e drejtë, që kur nuk mban dot peshën e luftës kundër krimit dhe mafies, apo dhe kundër krimit politik – mbase them, duhet të largohesh vetë. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që del apo provokon lajmi, por mbase ka dhe ndonjë arsye tjetër, më të stërholluar se sa kaq?! Veçse një gjë është e qartë. prokuroria e Përgjithshme dhe kreu i saj Llalla – nuk janë në vijën e parë të frontit kundër krimit dhe kundër gangsterëve të tij në Shqipëri. As kundra bandave, as kundra kanabisit dhe as kundra politikës e lidhur me to?! Nuk ka bërë asgjë dhe nuk pritet as tani – për më tepër kur bërtet fort më “kërcënuan” nga burgu?! Imagjinoni kur pa futur ndonjë gjë të madhe në burg – kërcënohet, po kur mbase të vijë dita që të futen aty (në burg) gangsterë të vërtetë dhe jo karrocierët e tyre – çfarë mund të ndodhë me kryeaktorin Llalla?! Ruaje zot – dhe sigurisht krijoi mundësinë të jetojë rehat dhe vitet e tjera që nuk do të jetë vetëm – si institucion kundër krimit dhe mafies, apo dhe politikës kriminale në Shqipëri. Po ruajna zot – dhe ne prej krimit dhe organizimit të tij i cili ka pasur gjithmonë Prokurorinë e Përgjithshme, sistem referimi qetësie si kundërshtar real, sepse përndryshe edhe gjendja do të ishte krejt tjetër dhe jo kjo që ka vite e vite, që është për faqe të zezë. /SOT