Në foto kryesore kamerieri

Zbardhet dëshmia e kamerierit 18-vjeçar Genti Nela, dhënë në komisariatin e Kavajës. Sipas dëshmisë së siguruar nga “DurrësLajm“, Nela thotë se autorët e dhunës madje e kanë kërcënuar se do ta vrisnin. Ai thotë se gjithçka nisi pasi lajmëroi pronarët e hotelit se do të largohej nga puna për të punuar diku tjetër e në këto kushte kërkoi dhe pagën.

DËSHMIA:

Më datë 10.07.2026 kam filluar punë si banakier në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës kam biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj. Më datë 27.08.2026 u kam kërkuar pagën, pasi kisha vendosur të largohesha nga puna dhe të punoja diku tjetër.
Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.
Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në ftyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.
Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.
Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish.

“DurrësLajm” po ashtu ka siguruar disa foto që dokumentojnë vetëm disa nga fragmentet e sherrit të ndodhur brenda ambienteve të hotelit. Në foton kryesore ndodhet kamerieri, që ashtu siç ka dëshmuar dhe ai vetë, ka marrë një gotë qelqi në dorë për t’u mbrojtur. Ndërsa në dy fotot e mëposhtme, shfaqen dy prej autorëve që e dhunuan të riun.

DurrësLajm” publikoi më herët gjatë ditës së sotme edhe pamjet ku 18-vjeçari dhunohej jashtë ambienteve të hotelit nga 4 personat në fjalë (Dalin pamjet e rënda kur kamerieri 18 vjeç dhunohet nga 4 persona në Golem)