Fenomenal Shkëlzen Gashi. Rikthimi në formacionin titullar pas një jave ishte fatsjellës për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare, i cili tregoi edhe një herë se është lojtari më i rëndësishëm që ka në dispozicion Colorado Rapids. Gashi realizoi dy gola në barazimin 3-3 që skuadra nga Denveri mori në transfertën kanadeze përballë Vancouver Whitecaps.
Nëse rrjeta e parë erdhi nga pika e bardhë e penalltisë, goli i dytë personal i 28-vjeçarit shqiptar në këtë ndeshje ishte thjeshtë i mrekullueshëm. Një ekzekutim fantastik i Gashit, nga një goditje standarte me kuqeziun që e ndali topin në trekëndësh, duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Vancouver-it, Ousted. Me këto dy finalizime Gashi u ngjit në kuotën e 7 golave në këtë sezon të Major League Soccer gjatë të cilit numëron edhe 3 asiste.
Në stadiumin “BC Place”, në Vancouver, sfida nisi menjëherë me gol për miqtë nga Colorado. Pas vetëm 8 minutash lojë Badji i dha avantazhin skuadrës së trajnerit Mastroeni. Vendasit gjithsesi barazuan në fillimin e pjesë së dytë me Waston. Por në 57-tën Gashi kaloi sërish në epërsi Coloradon duke kthyer në gol një 11-metërsh. Në të 70-tën ishte kiliani Morales ai që realizoi duke i çuar shifrat në 2-2, ndërsa 5 minuta më pas një perlë e Shkëlzen Gashit u duk sikur i dha 3 pikët formacionit nga Denveri.
Por me sulmuesin shqiptar të ulur në stol në minutën e 89-të nga trajneri Mastroeni, në fund ndodhi e pabesueshmja pasi Vancouver edhe pse luante me një lojtar më pak që nga fillimi i pjesës së dytë barazoi rezultatin në minutën e 3-të shtesë duke marrë një pikë me shumë vlera. Për Colorado Rapids ky ishte barazimi i 12-të në këtë sezon, me skuadrën e Gashit që e ka pothuajse të sigurtë kualifikimin në Play-Off sepse momentalisht pozicionohet në vendin e 2-të të Konferencës së Perëndimit me 5 pikë më pak se Dallas që ka zhvilluar 2 ndeshje më shumë. I kënaqur me paraqitjen e Shkëlzen Gashit në sfidën ndaj Vancouver-it ka mbetur padiskutim trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, i cili në dy sfidat e radhës ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës, mund të besojë te forma e mirë e 28-vjecarit.





